Politikë
Ndalimi i zyrtarëve të Kosovës në kufi, analistët nga Preshevë demaskojnë prapaskenat e Beogradit dhe bëjnë thirrje për masa ndaj BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet serbe kanë bllokuar të premten hyrjen drejt Preshevës për shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deputetet Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe për këshilltarin politik të kryeministrit, Ragmi Mustafi.
Sipas shpjegimit të vetë Nagavcit, delegacioni kishte planifikuar një vizitë me karakter të pastër njerëzor dhe privat, me qëllim që t'i shprehnin ngushëllime kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila tocërisht kishte humbur babain e saj. Ndalimi i tyre u bë në pikën kufitare nga policia serbe, ku pas më shumë se dy orësh pritjeje dhe pa marrë asnjë arsyetim zyrtar, u është komunikuar kthimi mbrapsht.
Nagavci ka dënuar ashpër këtë qasje, duke theksuar se bëhet fjalë për një vizitë pa asnjë prapaskenë apo agjendë politike. "Bashkë me deputetet Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe këshilltarin politik të Kryeministrit, Ragmi Mustafi, u nisëm sot drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllimet tona Kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të saj. Por, pushteti i Vuçiqit, përmes policisë, na ndaloi në pikën kufitare. Pas më shumë se dy orësh pritjeje, pa asnjë shpjegim, na u komunikua se nuk na lejohej të vazhdonim rrugën dhe se duhej të ktheheshim. As ngushëllimet në një rast zie nuk i lanë jashtë politikës. Një vizitë krejtësisht private, njerëzore dhe pa asnjë agjendë politike u pengua, duke na detyruar që ngushëllimet t’ia shprehnim në rrugë, pranë kufirit, ku Ardita erdhi së bashku me familjarët e saj për të na takuar", ka shkruar ajo, duke paralajmëruar se për këtë ngjarje do të njoftohen menjëherë institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian.
Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Luginë e kanë cilësuar këtë akt si të shëmtuar dhe plotësisht të pajustifikueshëm, duke kërkuar që çështja e qarkullimit dhe vizitave të ndërsjella të gjejë një zgjidhje të ngjashme me atë të çështjes së targave.
Duke komentuar situatën, analisti Refik Hasani ka vlerësuar se një veprim i tillë nga ana e Serbisë nuk është i ri, por përbën një shkelje flagrante të parimit të reciprocitetit. Sipas tij, derisa zyrtarët e lartë shtetërorë, deputetët, akademikët dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe hyjnë e dalin lirshëm në Kosovë, përfaqësuesit kosovarë vazhdojnë të përballen me pengesa sistematike.
Hasani ka theksuar se nëse Beogradi vazhdon të mohojë hyrjen e zyrtarëve nga Kosova në Luginë të Preshevës, Medvegjë, Bujanoc apo Sanxhak, atëherë edhe Prishtina duhet të adoptojë të njëjtën qasje ndaj zyrtarëve serbë, duke zbatuar rreptësisht parimin e reciprocitetit në çdo marrëveshje të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: