Sport
Talenti i Barcelonës kurorëzohet me çmimin prestigjioz 'Golden Boy 2026'
Reklamë e Sponsorizuar
Pau Cubarsí është kurorëzuar zyrtarisht si fitues i çmimit prestigjioz "Golden Boy 2026", një vlerësim ky që i dedikohet futbollistit më të mirë të ri nën moshën 21 vjeç në kontinentin e vjetër.
Ky trofe, i ideuar nga Massimo Franchi dhe i organizuar nga e përditshmja italiane Tuttosport prej vitit 2003, mbetet një ndër akordimet më të rëndësishme në shkallë globale për yjet e rinj të fushës së gjelbër.
Reprezentuesi i Spanjës arriti të sigurojë një epërsi të ndjeshme ndaj 24 konkurrentëve të tjerë të dalë nga lista Benchmark, si dhe pesë lojtarëve të përzgjedhur me wild-card nga vetë komiteti organizativ. Fitorja e tij u vulos pas procesit të votimit ku morën pjesë 30 gazetarë sportivë nga e gjithë Evropa, të cilët i dhuruan mbrojtësit shumicën dërrmuese të votave.
Ish-mesfushori italian Demetrio Albertini, i cili gjatë karrierës së tij ka veshur edhe fanellën e Barcelonës më 2005, ka thurur elozhe për cilësitë e mbrojtësit katalunas.
"Nuk është normale mënyra se si mendon në moshën 19-vjeçare. Është një futbollist shumë i fortë, duket sikur i ka 23 apo 24 vjet. Barcelona krijon kushte që të dalin lojtarë të nivelit të lartë nga akademia. Kjo është politika e Laportës dhe rezultatet janë të jashtëzakonshme", u shpreh Albertini.
Ky triumf vjen pas një periudhe ku Cubarsí kishte mbetur vetëm dy pikë larg fitimit të çmimit Kopa në mbrëmjen e fundit të Topit të Artë, garë në të cilën u kurorëzua shoku i tij i skuadrës, Lamine Yamal, për të tretin vit radhazi.
Përmes këtij suksesi, klubi i Barcelonës konfirmon edhe një herë hegjemoninë e tij në këtë çmim, pasi Cubarsí shndërrohet në futbollistin e pestë prodhim i akademisë "La Masia" që e fiton trofeun, duke iu bashkuar emrave si Lionel Messi, Pedri, Gavi dhe Lamine Yamal. Vlen të ceket se Cesc Fabregas e kishte fituar këtë çmim në vitin 2006, por në atë periudhë ishte pjesë e skuadrës së Arsenalit.
Njëkohësisht, Cubarsí hyn në histori si mbrojtësi i dytë që fiton "Golden Boy", duke pasuar holandezin Matthijs de Ligt, i cili e kishte rrëmbyer këtë mirënjohje në vitin 2018.
Në listën e fituesit të këtij çmimi ndër vite bëjnë pjesë personalitete të mëdha të futbollit botëror, përfshirë Lionel Messin, Sergio Agüero, Kylian Mbappe, Jude Bellingham, João Félix dhe Erling Haaland.
Ndërkaq, numri i futbollistëve spanjollë që kanë ngritur lart këtë trofe në historinë e tij tashmë shkon në gjashtë, ku bëjnë pjesë Cesc Fabregas, Isco, Pedri, Gavi, Lamine Yamal dhe tani së fundmi Pau Cubarsí.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: