Botë
Kreu i shtetit gjerman i dërgon telegram urimi Presidentes Shiroka Pula, rikonfirmon mbështetjen për rrugën evropiane të Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë një mesazh urimi nga homologu i saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e marrjes së detyrës së re në krye të shtetit.
Nëpërmjet kësaj letre, kreu i shtetit gjerman ka shprehur urimet e tij më të sinqerta në emër personal dhe të qytetarëve të Gjermanisë, duke vënë theksin te domosdoshmëria e konsolidimit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve kosovare.
“Fakti që tani të gjitha institucionet kushtuese janë sërish plotësisht funksionale dhe të afta për të vepruar, përbën një lehtësim të madh edhe për Gjermaninë, si shtet mik dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës. Muajt e bllokadës politike treguan se sa të çmuara janë institucionet funksionale dhe sa shumë varen nga gatishmëria e forcave politike për të marrë përgjegjësi përtej kufijve partiakë”, theksohet në mesazhin e urimit.
Ndër të tjera, Presidenti Steinmeier ka përsëritur qëndrimin se perspektiva e Kosovës është e lidhur ngushtë me Bashkimin Evropian.
“Prandaj tani është koha për të drejtuar vështrimin përpara për të avancuar reformat e nevojshme me një dinamikë të re dhe për të shtyrë përpara integrimin euro-atlantik të Kosovës. Në këtë proces, rëndësi të madhe kanë respektimi i detyrimeve ndërkombëtare, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka vlerësuar ai.
Në fund të letrës së tij, presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë ka garantuar se Berlini zyrtar do të vazhdojë të mbetet një partner i palëkundur dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës në proceset e saj integruese evropiane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: