Sport
Dramë nga pika e bardhë në Kupën e Gjermanisë: Feston Parduzi, eliminohen Asllani e Avdullahu
Reklamë e Sponsorizuar
Aventura në Kupën e Gjermanisë vazhdon për Holstein Kielin, e cila siguroi kalimin në 1/8 e finales pas një përballjeje tejet dramatike përballë Hoffenheimit, ku fituesi u përcaktua vetëm pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 4:3.
Kjo përballje solli kontraste të mëdha për futbollistët kosovarë. Ndërsa Leon Parduzi festoi kualifikimin me skuadrën e tij, për dy reprezentuesit e Kosovës te Hoffenheimi, Fisnik Asllanin dhe Leon Avdullahun, mbrëmja u përmbyll me zhgënjimin e eliminimit.
Koha e rregullt prej 90 minutash, si dhe dy vazhdimet nga 15 minuta, nuk mjaftuan për të nxjerrë një fitues, pasi ndeshja përfundoi në barazim 1:1. Skuadra e Hoffenheimit e nisi takimin më mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e 11-të me anë të Hložek, i cili realizoi me një goditje të fuqishme brenda zonës përballë portierit Rothenhagen. Megjithatë, reagimi i vendësve erdhi shpejt: në minutën e 23-të Sekine depërtoi bukur dhe pasoi për Kaprálik, i cili barazoi shifrat.
Sa u përket paraqitjeve të lojtarëve tanë, Avdullahu e nisi ndeshjen si titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 68-të, ndërsa Asllani u inkuadrua në fushë në minutën e 46-të. Asllani dhuroi një moment të mirë në vazhdime (100'), kur pasoi saktë për Bernardon, por goditja e këtij të fundit nga distanca përfundoi mbi traun e portës. Në krahun tjetër, Parduzi ishte në fushë për 103 minuta lojë.
Çështja e kualifikimit u vendos nga pika e bardhë. Për Hoffenheimin realizuan Kramariç, Asllani dhe Prass, por goditjet e gabuara nga Avdullahu dhe Rots falën fitoren kundërshtarit. Ndërkaq, te Holstein Kieli u treguan të saktë Nekic, Balzi, de Regt dhe Harres, me të vetmin dështim nga Kvilitaia, duke prerë kështu biletën për raundin tjetër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: