Aktuale
Mbyllje madhështore e Panairit të Librit për Fëmijë: Mbi 20 mijë vizitorë shënojnë rekordin e edicionit të katërt
Reklamë e Sponsorizuar
Ka ulur siparin ditën e sotme edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, duke regjistruar një sukses të jashtëzakonshëm me më shumë se 20 mijë vizitorë gjatë katër ditëve të mbajtjes së tij.
Drejtori i organizatës “ETEA”, Agon Ahmeti, në një deklaratë për media, ka bërë të ditur se ky vit përkon me edicionin më të frytshëm dhe më të vizituar që nga themelimi i tij.
“Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë shënon këtë vit edicionin e katërt, pra për katër vite radhazi, edhe njëkohësisht edicionin më të suksesshëm me të dhënat preliminare që kemi deri sot. Kemi rreth 20.000 vizitorë gjithsej që katër ditët e paraprake e kanë vizituar”, u shpreh Ahmeti.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë rreth 15 shtëpi botuese, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga shtetet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat u fokusuan ekskluzivisht te veprat për lexuesit e vegjël.
“Gjithsej rreth 15 shtëpi botuese kanë marrë pjesë, meqenëse profili i shtëpive botuese është vetëm me botime për fëmijë. Ka shtëpi botuese nga, natyrisht nga Kosova, por që edhe nga shtetet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut. Krahë botuesve për fëmijë e kemi edhe, dy vitet e fundit e kemi ndarë edhe këndin për të rritur, ku kemi një kënd të vogël me tri-katër botuese, me qëllim që prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit që i sjellin fëmijët në festival të kenë se si shfletojnë dhe blejnë libra edhe për interesat dhe preferencat e tyre vetjake”, shtoi ai.
Fatlum Hetemi, përfaqësues i shtëpisë botuese “Albas”, theksoi se pjesëmarrja e tyre është tradicionale dhe se mbarëvajtja e panairit ka qenë e shkëlqyer, sidomos falë interesimit të madh të treguar nga shkollat.
“Ne si shtëpi botuese çdo herë marrim pjesë në këtë panair. Ka shkuar shumë mirë, ka pasur vizita shumë nga shkollat, organizimi ka qenë shumë i mirë dhe jemi, deri tash jemi shumë të kënaqur me vizitat që i kanë bërë shkollat me nxënës në këtë panair…. kemi shumë botime për fëmijë, nga më të ndryshmet. Kemi mister, kemi letërsi për fëmijë tamam klasike. Kemi shumë lloje të librave, kemi edhe libra me zë që janë për moshën edhe më të vogël se sa fillojnë klasën e parë, kështu që ka pasur shumë interesim”, theksoi Hetemi.
Mbështetje dhe entuziazëm të lartë kanë shprehur edhe prindërit, të cilët vlerësojnë lart dobinë e këtyre aktiviteteve dhe kërkojnë që ngjarje të tilla të organizohen më shpesh gjatë vitit.
Dafina Beqiri Sekiraqa, nëna e një vajze trevjeçare, tregon se ky është viti i tretë radhazi që i bashkohet panairit dhe se tradita e leximit ka nisur të lërë gjurmë pozitive tek e vogla e saj.
“Është viti i tretë radhazi që vijmë me vajzën. Ajo tash i ka tre vite edhe po shoh që ka një ndikim shumë pozitiv te ajo, pasi që çdo herë mundohemi me pasur nga një libër të ri për të. Edhe prej larg si po i vren masnej, po është fokusi që me ardhur te panairi. Po sikur të kishim pak më shpesh, jo veç një herë në vit, ndoshta kishte qenë edhe pak më mirë, pasi që edhe librat i gjejmë në një çmim shumë më të volitshëm këtu”, u shpreh ajo.
Ngjarje të këtij niveli vazhdojnë të mbeten ndër nismat më të dashura dhe më të mirëpritura për qytetarët e të gjitha moshave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: