Aktuale
Një muaj pas vendimit të Hagës, Çitaku kërkon angazhim shtetëror: Çlirimtarët nuk do t'i lëmë vetëm
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka theksuar se tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur mbrojtjen në shkallë të Apelit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, saktësisht një muaj pas shpalljes së aktgjykimit dënues të shkallës së parë.
Ajo ka bërë të thirrje që këto përgjegjësi institucionale të çohen deri në fund, duke ritheksuar qëndrimin e prerë se figurat kyçe të luftës nuk do të mbeten të vetmuara në këtë betejë ligjore.
"Tashmë kemi hapa konkretë për mbështetjen e mbrojtjes së tyre në apel, me synimin për ta rrëzuar këtë aktgjykim, si dhe nisma për mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve. Këto janë përgjegjësi që duhet t’i çojmë deri në fund, me seriozitet, përkushtim dhe të gjitha kapacitetet tona shtetërore", ka deklaruar Çitaku.
Sot u bë një muaj nga vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, periudhë të cilën ajo e ka cilësuar si tejet të rëndë për vetë ish-krerët, familjet e tyre dhe mbarë shoqërinë që beson në drejtësinë e luftës për liri.
Gjatë 21 ditëve të kaluara, qytetarët ngritën zërin kundër asaj që ajo e ka quajtur padrejtësi, duke vënë në pah se solidariteti në sheshe dëshmoi se populli i Kosovës di t'u qëndrojë pranë atyre që i dolën në mbrojtje vendit në kohërat më të errëta.
Sipas saj, vendimi që u konceptua si goditje ndaj UÇK-së, në realitet shërbeu për ta rikthyer atë në qendër të vetëdijes kombëtare si një vlerë e pacenueshme që bashkon mbarë qytetarët e Kosovës.
Çitaku ka përsëritur se qëndrimi i tyre mbetet i palëkundur, duke garantuar se çlirimtarët do të mbështeten në çdo rrethanë, në çdo betejë dhe për çdo ditë, deri në kthimin e tyre triumfues e të lirë në Atdhe.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: