Politikë
Qëndrim i prerë nga Sofja: Marrëveshja e vitit 2022 me Shkupin nuk preket
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet në Sofje refuzojnë çdo mundësi për ndryshime kushtetuese me afat të shtrirë në kohë dhe nuk pranojnë rinegociim të kushteve të përcaktuara në marrëveshjen e vitit 2022 me Maqedoninë e Veriut. Ky qëndrim u rikonfirmua në Kuvendin bullgar nga ministrja e Jashtme, Velisllava Petrova Çamova, vetëm një ditë pas bisedimeve zyrtare që pati në kryeqytetin bullgar me homologun e saj maqedonas, Timço Mucunski.
Shefja e diplomacisë bullgare theksoi se kërkesat e shtetit të saj ndaj Shkupit mbeten të palëvizshme, duke kërkuar garanci për respektimin e të drejtave të pakicës bullgare dhe përfshirjen e tyre zyrtare në Kushtetutë.
"A kemi arritur marrëveshje për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar? Përgjigja është “jo”. Ministria e Punëve të Jashtme qëndron pas marrëveshjes së vitit 2022 dhe kategorikisht hedhim poshtë mundësinë e çfarëdo anashkalimi, rinegociimi, dakordësie me vende të caktuara anëtare për çfarëdo lloj dakordësie që do të ndryshonin kushtet e marrëveshjes së arritur. Bullgaria nuk merr pjesë në rinegociimin e marrëveshjes me Shkupin. Nuk kemi nevojë për rinegociim dhe rimarrëveshje sepse ata janë të papranueshme për ne", deklaroi Velisllava Petrova Çamova, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Ministri Timço Mucunski dhe homonyma e tij bullgare zhvilluan një takim dypalësh në Sofje, në kuadër të zhvillimeve anësore të Konferencës për Korridorin 8, ku u diskutua edhe për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Ndonëse Mucunski e cilësoi takimin si konstruktiv dhe të zhvilluar në një atmosferë pozitive, ai pranoi se hendeku mes pozicioneve mbetet i madh. Ai vuri në dukje se sa i përket rrugës drejt Bashkimit Evropian, ekziston një nivel i lartë skepticizmi, i cili buron nga mungesa e parashikueshmërisë në proces dhe nga përvojat e kaluara me kushtëzimet dypalëshe.
Ky takim u pasqyrua gjithashtu gjerësisht nga mediat kryesore në Bullgari. Pavarësisht se toni i bisedimeve u vlerësua si miqësor, agjencitë dhe transmetuesit kryesorë vendës vunë theksin te fakti se palët kanë mbetur kokëfortësisht në pozicionet e tyre, ndërsa Sofja nuk heq dorë nga kushtet e vendosura për integrimin evropian të Shkupit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: