Kronikë
Konfirmohet dënimi me gjashtë vjet burg për Jelena Gjukanoviq për spiunazh në favor të BIA-s serbe
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Apelit ka marrë vendim përfundimtar duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e kishte shpallur fajtore të pandehurën Jelena Gjukanoviq për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me gjashtë vjet heqje lirie. Ky vendim i shkallës së parë ishte shpallur zyrtarisht më 27 prill 2026.
Kundër këtij vendimi kishin paraqitur ankesa të dyja palët ndërgjyqëse. Mbrojtësi i Gjukanoviq, avokati Predrag Milkoviq, ishte ankuar për shkelje esenciale të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit material, duke kërkuar lirimin e saj ose kthimin e lëndës në rigjykim. Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Prokuroria e Apelit kishin kërkuar një dënim më të lartë me burgim për të akuzuarën.
Në seancën e kolegjit të Apelit të mbajtur më 25 shtator 2026, mbrojtja pati konfirmuar se qëndron të gjihtësishëm pas ankesës me shkrim. Megjithatë, përmes aktgjykimit të datës 30 shtator 2026, Gjykata e Apelit ka gjetur se vendimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje procedurale dhe se dispozitivi i tij është i qartë, i kuptueshëm dhe i arsyetuar drejt.
Apeli ka rrëzuar si të pabazuara pretendimet e mbrojtjes lidhur me gjoja paligjshmërinë e kontrollit të telefonave të të akuzuarës Gjukanoviq, duke iu referuar aktvendimit të po kësaj gjykate të datës 20 janar 2026. Po ashtu, u vlerësua se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë përmes provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Andaj, për mënyrën e kryerjes së veprës penale nga e akuzuara, Jelena Djukanovic, gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit ka dhënë arsyet të qartë dhe të plota për të cilat pajtohet edhe ky kolegj penale si përfundim të drejtë dhe ligjor, pasi që nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor rezultojnë të vërtetuara veprimet të cilat i kishte ndërmarrë e akuzuara, duke marrë pjesë aktivisht në veprimet inkriminuese për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj-BIA-së të Serbisë, të përshkruara në dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar”, theksohet në vendimin e Apelit.
Edhe pretendimet për shkelje të Ligjit Penal u konsideruan të paqëndrueshme, pasi sipas Apelit, veprimet e Gjukanoviqit përmbajnë të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën ajo u dënua, gjë që është arsyetuar hollësisht në faqen 16 të aktgjykimit të shkallës së parë.
Në lidhje me kërkesat e Prokurorisë Speciale për ashpërsim të dënimit, Gjykata e Apelit ka vendosur t'i refuzojë ato, duke konsideruar se masa e shqiptuar nga Themelorja është e drejtë, e ligjshme dhe në përpjesëtim të plotë me peshën e veprës së kryer.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: