Sport
Nisja e ëndrrës kuqezi: Rolando Maran thyen rekordin historik në stolin e Shqipërisë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjashtë pikë të plota dhe kreu i grupit. Starti i aventure së Rolando Maran në krye të stolit të Kombëtares shqiptare nuk mund të kishte një epilog më perfekt se ky, pas dy sfidave të para zyrtare kundër Bjellorusisë dhe San Marinos.
Pavarësisht se në letër bëhej fjalë për kundërshtarë të kalueshëm për potencialin që mbart përfaqësuesja jonë, tekniku italian ka arritur të sigurojë arkëtimin e pikëve të plota, një arritje kjo që nuk i ka shkuar kurrë për shtat asnjë prej paraardhësve të tij në dy ndeshjet e para.
Kryesimi aktual dhe mundësia e artë për të përfituar nga hapat e gabuar të rivalëve direktë, siç është Finlanda, po i rikthejnë skuadrës sonë tiparet dalluese dhe identitetin e humbur. Kombëtarja shfaqet tashmë më fluide në aksione, me grintë të spikatur në çdo duel për topin dhe një etje të pandalshme për rezultatin maksimal.
Këtë mentalitet fitues e ka instaluar pikërisht Rolando Maran, i cili, ndonëse u prit me rezerva dhe dyshime fillestare për shkak të karrierës së tij të mëparshme, ka fituar zemrat dhe besimin e opinionit sportiv me vizionin dhe stilin e lojës. Krahas renditjes perfekte prej 6 pikësh, strategu italian krenohet edhe me një diferencë mbresëlënëse golash: pesë të shënuar dhe asnjë gol të pësuar.
Kjo do të thotë se Shqipëria e drejtuar nga Maran mbetet e pamposhtur dhe ka ndërtuar një mbrojtje thuajse të pakalueshme, ku meritë të veçantë kanë edhe dy gardianët e portës, Etrit Berisha dhe Alen Sherri.
Dueli i ardhshëm ndaj Finlandës pritet të shërbejë si testi i vërtetë dhe vendimtar për kapacitetet e vërteta të Maran në krye të kuqezinjve, por për momentin, statistikat dhe fusha flasin qartë në favor të italianit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: