Politikë
Projektbuxheti 2027: Rama zbulon paketën me ulje taksash, lehtësim të çmimeve dhe rritje pensionesh
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka paraqitur sot në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, i cili, falë trefishimit të ekonomisë, arrin për herë të parë pragun historik prej 10 miliardë eurosh.
Duke sjellë në vëmendje transformimin e deritanishëm, kreu i qeverisë u shpreh se ekonomia ka shënuar një rritje eksponenciale, ndërsa theksoi se fokusi kryesor i këtij dokumenti financiar mbetet zbutja e kostos së jetesës për çdo familje shqiptare. Një nga pikat kyçe të prezantuara ishte ulja e TVSh-së në 6% për 54 produkte të shportës, masë kjo që sipas tij do t'i lërë çdo vit rreth 150 milionë euro në xhepat e qytetarëve nëpërmjet çmimeve më të lira, duke vendosur njëkohësisht kushte të rrepta që ky përfitim të mos shkojë në llogari të tregtarëve.
Në fushën e taksave, qeveria ka vendosur të mbajë të pandryshuar tatimin mbi fitimin e sipërmarrjeve në masën 15%, por ka ndërmarrë një rritje të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, për të balancuar pabarazitë sociale dhe për të mbështetur bizneset vetëm kur riinvestojnë të ardhurat e tyre. Një tjetër lehtësim i rëndësishëm ka të bëjë me heqjen e taksës tradicionale të qarkullimit dhe uljen e çmimit të karburantit në pompë me 32 lekë për litër. Kjo detyrueshmëri do të zhvendoset te automjeti, duke u lidhur drejtpërdrejt me specifikat e tij përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Publik, për ta sjellë çmimin e naftës në të njëjtat nivele me vendet e rajonit.
Kategoria e pensionistëve zë një vendim të veçantë në buxhetin e vitit 2027. Kryeministri bëri të malor zotimin se duke filluar nga 1 janari, rritja e vitit të kaluar do të dyfishohet, një praktikë kjo që do të përsëritet çdo vit në vijim. Vetëm për këtë qëllim janë alokuar rreth 20 miliardë lekë (afërsisht 200 milionë euro), ndërsa fondit të indeksimit të parashikuar për muajin prill i shtohen edhe 4 miliardë lekë të tjerë.
Sa i përket strehimit social, Rama theksoi se qeveria nuk do të lejojë që çiftet e reja të përballen me vështirësi ekstreme për të siguruar një banesë. Përmes buxhetit të ri dhe ligjit për strehimin, 10 mijë familje do të përfitojnë nga skemat mbështetëse, ku 1000 prej tyre do të përfshihen në kredi të lehtësuara, 2000 do të mbështeten me subvencionim qiraje në tregun e lirë dhe 7000 të tjera do t'i nënshtrohen një qasjeje të re ndihme.
Në mbështetje të arsimit të lartë, projektbuxheti parashikon një rritje të ndjeshme të bursës për studentët nga familjet në nevojë, e cila do të kalojë nga 10.000 në 25.000 lekë në muaj dhe do të përfshijë tashmë edhe ciklin e studimeve Master, duke u lehtësuar atyre përballimin e kostove të jetesës dhe qirasë në kryeqytet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: