Kronikë
Sabotimi në Ibër-Lepenc: Gjykata nis procesin ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist
Reklamë e Sponsorizuar
Sot, në orën 09:30, do të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj të pandehurve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, të cilët akuzohen për përfshirjen e tyre në sulmin e ndodhur ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj këtij grupi, duke i ngarkuar me përgjegjësi për aktin e dhunshëm të 29 nëntorit 2024, të kryer në fshatin Varagë. Sipas dosjes së prokurorisë, të dyshuarit, rreth orës 18:50, kanë vënë në shënjestër infrastrukturën kritike që është jetike për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për operacionet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Në aktakuzë theksohet se të akuzuarit, në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë planifikuar dhe ekzekutuar vendosjen e rreth 20 kilogramëve eksploziv ushtarak (TNT). Mjeti shpërthyes ishte pozicionuar në një çantë, e lidhur me litar për një shtyllë betoni, me synimin e qartë për të shkaktuar frikësim të popullsisë dhe për të rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Hetimet zbuluan se njëri prej të dyshuarve që ndezi fitilin e shpërthimit ishte punëtor në Sistemin Rajonal të Furnizimit të Ujit në Ujman. Përmes ndezjes së fitilit me djegie të ngadalshme, ata shkaktuan një shpërthim të fuqishëm që dëmtoi rëndë strukturën e kanalit të Ibër-Lepencit.
Pasojat e këtij akti kanë qenë të rënda, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë për shumë qytetarë në komunat veriore dhe qendrore të Kosovës, si dhe duke rrezikuar seriozisht prodhimin e energjisë elektrike në vend. Sipas vlerësimeve zyrtare të përfshira në aktakuzë, dëmet materiale të shkaktuara në infrastrukturën e ndërmarrjes 'Ibër-Lepenc' kapin vlerën e 376 mijë e 774 eurove e 70 centëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: