Politikë
Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar: Shaip Kamberi shpall fitoren e koalicionit me 10 mandate
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë publike të dhënat paraprake nga procesi zgjedhor për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke konfirmuar suksesin e forcës politike që ai përfaqëson.
Sipas njoftimit të tij, Koalicioni Shqiptar, i drejtuar nga Enkel Rexhepi, është renditur i pari në zgjedhjet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në territorin e Serbisë.
Kamberi bëri të ditur se lista zgjedhore me numër 3 ka arritur të mbledhë gjithsej 4 mijë e 769 vota, rezultat ky që i siguron asaj 10 ulëse nga 29 sa ka gjithsej Këshilli Kombëtar Shqiptar.
“Faleminderit qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që dolën në votime dhe secilit që na dha besimin. Urime Enkelit dhe gjithë ekipit të Partisë për Veprim Demokratik dhe Aleancës për Luginën!”, është shprehur Kamberi në prononcimin e tij.
Ai gjithashtu paralajmëroi se shumë shpejt do të nisë një cikël bisedimesh me subjektet e tjera politike për të arritur te konstituimi i këtij institucioni të rëndësishëm.
“Këshilli ka për detyrë t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët e Luginës dhe të punojë për shkollën e librin shqip, për kulturën tonë dhe për përdorimin e gjuhës shqipe në institucione”, theksoi ndër të tjera ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: