Kronikë
Pasojat e garave ilegale: Identifikohen dhe merren në pyetje nga Policia drejtuesit e automjeteve të aksidentuara
Reklamë e Sponsorizuar
Uniformat blu kanë mbyllur identifikimin e dy shoferëve të përfshirë në një aksident rrugor, përfshirë edhe drejtuesin i cili fillimisht kishte braktisur vendin e ngjarjes për t'i shmangur përgjegjësisë.
Lajmi është konfirmuar për mediat nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se të dy personat në fjalë janë paraqitur në ambientet e stacionit policor dhe janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve.
“Si rezultat i veprimeve profesionale hetimore, janë identifikuar të dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident, përfshirë edhe drejtuesin që ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Të dy drejtuesit janë paraqitur në stacionin policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej shoferëve është ekzaminuar nga ekipet mjekësore, të cilët kanë konstatuar se ai ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore.
“Për nevoja të hetimit të mëtejshëm, Policia ka konfiskuar të dy automjetet e përfshira në aksident”, ka shtuar tutje zëdhënësi i policisë.
Në fund, ai ka bërë të me dije se e gjithë procedura është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka dhënë udhëzimet e duhura ligjore.
“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim dhe konsultim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të procedohet si kundërvajtje dhe të trajtohet nga hetuesit kompetentë policorë”, ka përfunduar Hoxha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: