Aktuale
Ngritja e mafies shqiptare në Itali: Në të njëjtën tryezë me ’Ndrangheta-n dhe Cosa Nostra-n, zbardhet raporti i Antimafias
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Parlamentar Antimafia i Italisë ka publikuar një dokument zyrtar që dëshmon një kthesë rrënjësore në dinamikën e krimit të organizuar, duke nxjerrë në pah fuqizimin dhe shtrirjen e rrjeteve kriminale në veri të vendit, ku bandat shqiptare tashmë po bashkëpunojnë ngushtë me klanet historike mafioze.
Dokumenti zyrtar, i pagëzuar me titullin “Relazione sulla ’ndrangheta nell’Italia settentrionale. Geografia del radicamento e nuove modalità operative”, u miratua zyrtarisht më 3 nëntor 2026 nën drejtimin e kryetares Chiara Colosimo, duke vënë theksin te lidhjet e reja të konsoliduara mes elementëve shqiptarë dhe mafies italiane.
Sipas analizave të dokumentit dhe dëshmive të prokurorëve, organizatat shqiptare nuk trajtohen më thjesht si bashkëpunëtorë apo furnizues të thjeshtë në trafikun e narkotikëve. Ato tashmë janë ngritur në një nivel tjetër, duke u ulur në tryezat e marrëveshjeve dhe operacioneve të përbashkëta së bashku me përfaqësues të ’Ndrangheta-s, Cosa Nostra-s dhe Camorra-s.
Një nga provat më të qarta të këtij partneriteti është hetimi i njohur si “Hydra”, i zhvilluar në rajonin e Lombardisë, i cili ka zbuluar një strukturë të mirëfilltë bashkëpunimi. Sipas të dhënave, në këtë zonë veriore është formuar një bosht i përbashkët kriminal që ndan interesa të përbashkëta në fushën e trafikut të drogës, mashtrimeve fiskale dhe pastrimit të parave.
Prokurorja Alessandra Cerreti ka vlerësuar praninë e grupeve shqiptare si të heshtur, por tejet të vazhdueshme dhe të specializuar, çka dëshmon qartë se ato kanë siguruar një peshë të re dhe vendimtare përballë organizatave tradicionale mafioze. Për më tepër, raporti thekson se vetë ’Ndrangheta ka ndryshuar strategjinë e saj të funksionimit në Italisë Veriore, duke i dhënë përparësi marrëdhënieve ekonomike, bizneseve, kompanive dhe ndërmjetësve financiarë, në vend të përdorimit të dhunës së hapur dhe kontrollit të drejtpërdrejtë territorial.
Nga ana tjetër, sipërmarrësit në veri të Italisë nuk shihen gjithmonë vetëm si viktima të presionit mafioz. Në disa raste, ata shfaqen si klientë apo partnerë të strukturave kriminale, të cilët kërkojnë ndërhyrje të paligjshme për të siguruar avantazhe në treg.
Megjithatë, dokumenti sqaron se ky përshtatje me ekonominë legale dhe tregun nuk do të thotë se organizatat kanë hequr dorë nga dhuna. Prokurorja Cerreti ka theksuar se pavarësisht aleancave ekonomike, këto struktura ruajnë natyrën e tyre mafioze dhe janë gati të përdorin kërcënimet, dhunën apo edhe vrasjet nëse cenohen interesat e tyre.
Në të njëjtën linjë, prokurori kombëtar antimafia Giovanni Melillo ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke theksuar se lidhja mes mafies dhe ekonomisë legale ka kapërcyer fazën tradicionale të infiltrimit, duke u shndërruar në një ndërthurje të thellë mes botës së krimit dhe strukturave të sistemit ekonomik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: