Aktuale
Tragjedia e protestës dhe ndërgjegjja e plagosur: Përse sot të gjithë jemi me një sy
Reklamë e Sponsorizuar
Sot, të gjithë shqiptarët ndihen sikur shohin vetëm me një sy. Dhe ky sy përfaqëson vetë Shqipërinë, bashkë me ndërgjegjen tonë të lënduar rëndë nga ngjarjet e fundit.
Një plumb, që dyshohet të ketë qenë prej gome dhe i shkrepur nga arma e një efektivi të rendit, goditi drejtpërdrejt në sy një djalë të ri. Ky nuk duhet të kishte qenë kurrë shënjestër e një akti të tillë, pasi ai përfaqësonte energjinë dhe dëshirën e rinisë për një Shqipëri më të drejtë dhe të barabartë për secilin.
I riu nuk kishte dalë për çështje ekzistenciale si buka apo veshmbathja, dhe nuk i mungonte strehimi apo mbështetja familjare. Atij i mungonte diçka shumë më e çmuar dhe e pazëvendësueshme: liria. Liria për të shprehur mendimin, për të folur hapur dhe për të ëndërruar për një vend ku drejtësia nuk është luks i pakicës, por e drejtë themelore për të gjithë.
Ndërkohë që ai sot po lufton për të ruajtur shikimin e tij, pjesa tjetër e shoqërisë ndien se ka humbur një pjesë të dritës së saj. Plaga e tij fizike është kthyer në një goditje të thellë për ndërgjegjen kolektive të mbarë shoqërisë.
Në të kaluarën, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, grupi artistik nga Mirdita përcillte vargjet kuptimplota:
“Shkrin qeliku e lulzon molla,
Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.”
Kjo këngë ishte emblemë e krenarisë, guximit dhe pathyeshmërisë së popullit tonë, ndërsa vetë Mic Sokola mishëronte qëndresën përballë padrejtësisë. Vështirë se mund të imagjinohej dikur se pas kaq vitesh, sheshet tona do të mbusheshin me qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, përfshirë pedagogë e studentë, me një sy të fashuar. Fasha, dikur shenjë e një dëmtimi personal, është transformuar në simbol proteste dhe në thirrje të heshtur kundër padrejtësive.
Reflektimet e kohëve të sotme sjellin në vëmendje thënien e njohur të Patër Zef Pllumit, i cili shprehej me dhimbje se “E keqja e shqiptarit janë vetë shqiptarët”. Kjo e vërtetë e rëndë rëndon mbi supet tona, pasi rreziku më i madh shpesh nuk vjen nga jashtë, por nga përçarja e brendshme, harresa e vëllazërisë dhe shndërrimi i pushtetit në arrogancë.
Djaloshi që tani po përballet me sfidën për të mos humbur dritën e syrit, po mbron një të drejtë të lindur. Dhe shoqëria kupton se ai sy nuk i takon vetëm atij. Ai është syri i çdo nëne që pret fëmijën në shtëpi, i çdo babai që frikësohet nga padrejtësitë, i çdo studenti që synon një të ardhme më të sigurt dhe i çdo qytetari që ende beson te ky vend.
Pytja që shtrohet nuk ka të bëjë vetëm me autorin e plumbit, por edhe me llojin e shoqërisë që kemi ndërtuar, ku një i ri detyrohet të paguajë me shikimin e tij për shkak të aspiratave për liri. Një komb nuk mund të konsiderohet i lirë dhe i bashkuar, për sa kohë dhimbja e një individi nuk përjetohet si plagë e përbashkët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: