Sport
Formë e lartë e Freiburgut, mposht Union Berlinin falë autogolit dhe shkëlqimit të Suzukit
Reklamë e Sponsorizuar
Freiburgu ka vazhduar serinë e tij fantastike të rezultateve, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në të gjitha garat, pasi triumfoi 2:0 ndaj Union Berlinit në kuadër të javës së nëntë në elitën e futbollit gjerman, Bundesliga.
Gjatë gjithë sfidës, skuadra vendase tregoi dominim të plotë në fushë, ndërsa mysafirët nga Berlini dështuan të paraqesin rrezik konkret drejt portës kundërshtare.
Edhe pse fraksioni i parë u mbyll pa rrjeta të prekura, vendasit patën disa mundësi të arta shënimi. Yuito Suzuki dhe Igor Matanoviq provuan disa herë, mirëpo portieri Frederik Rönnow u tregua i pakalueshëm me disa pritje vendimtare.
Ekuilibri i ndeshjes u prish në minutën e 55-të, kur Rani Khedira shënoi në portën e gabuar. Mesfushori i Union Berlinit, në përpjekje e sipër për të spastruar topin pas një harkimi të rrezikshëm nga Beste, e dërgoi sferën në rrjetën e tij për t'i dhënë epërsinë Freiburgut prej 1:0.
Pak më vonë, saktësisht në minutën e 67-të, Yuito Suzuki u kujdes për të dyfishuar shifrat. Ai përfitoi nga një kundërsulm i rrufeshëm dhe një asistim perfekt nga Scherhant, duke mposhtur portierin Rönnow me një goditje mjeshtërore mbi të për 2:0.
Freiburgu pati shansin ideal për të thelluar edhe më shumë avantazhin në minutën e 84-t, por Vincenzo Grifo dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, pasi Rönnow arriti ta presë gjuajtjen e tij.
Falë këtij triumfi, Freiburgu konsolidon pozitat në vendin e tretë me 19 pikë të tubuara, duke qenë vetëm dy pikë larg dy gjigantëve, Bayern Munihut dhe Borussia Dortmundit.
Në krahun e kundërt, krizë e thellë rezultatesh për Union Berlinin, të cilët mbeten në zonën e rrezikshme, respektivisht në vendin e 16-të me vetëm 7 pikë, duke numëruar vetëm një fitore të vetme në nëntë ndeshjet e para të kampionatit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: