Sport
“Turp të kesh për atë që po bëni në Gaza” – përplasje mes lojtarëve pas ndeshjes Izrael-Irlandë
Reklamë e Sponsorizuar
Ndeshja mes Izraelit dhe Irlandës, e zhvilluar të dielën mbrëma në Debrecen të Hungarisë në kuadër të Ligës së Kombeve, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe pas përfundimit të saj.
Irlanda triumfoi 3-0, ndërsa para dhe gjatë ndeshjes futbollistët irlandezë shprehën në forma të ndryshme qëndrimin e tyre ndaj situatës në Gaza.
Ata nuk ua dhanë dorën lojtarëve izraelitë, qëndruan me kokën ulur gjatë himnit të Izraelit dhe bartën shirita të zinj në krah.
Sipas raportimeve të “The Sun”, pas ndeshjes pati edhe një debat mes Jake O’Brien dhe Manor Solomon.
Mbrojtësi irlandez dyshohet se i është drejtuar Solomonit me fjalët: “Turp të kesh për atë që po bëni në Gaza. E meritoni të humbni”.
Solomon, i cili luan për West Hamin, raportohet t’i jetë përgjigjur: “Dil këtu, bëhu burrë. Mos fol pas murit. Është mëkat që ndeshja nuk u luajt në Izrael, do të kuptoje se si është vendi më i mirë në botë”.
Pas ndeshjes, Solomon foli edhe për sjelljen e lojtarëve irlandezë, duke thënë se nuk dëshironte të komentonte më shumë, pasi mund të ndëshkohej.
“Ata thanë gjëra pa kuptim gjatë ndeshjes. Nuk dua t’i komentoj ato. Nëse them atë që mendoj për ta, ndoshta do të pezullohem për disa ndeshje. Sigurisht që ata na urrejnë dhe ne nuk i pëlqejmë ata. Mezi e pres ndeshjen e radhës kundër tyre. Do të jetë krejtësisht ndryshe”, deklaroi ai.
27-vjeçari foli edhe për momentin kur irlandezët qëndruan me kokën ulur gjatë himnit izraelit.
“Ajo që bënë gjatë himnit? Nuk më interesojnë ata. Ne kemi një vend që është dhjetë herë më i mirë se i tyre, më i fortë. Një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm. Jemi krenarë që veshim fanellën e Kombëtares dhe jemi izraelitë. Jemi krenarë për vendin dhe ushtarët tanë”, u shpreh Solomon.
Izraeli dhe Irlanda do të përballen sërish të dielën e ardhshme, kësaj radhe në Baçka Topola të Serbisë, në një ndeshje që UEFA ka vendosur të zhvillohet në terren neutral.
Në të njëjtin grup janë edhe Kosova dhe Austria.
Dardanët do të përballen me Izraelin të enjten në Debrecen, nga ora 20:45.
Ndërkohë, lojtarët e Irlandës kanë vendosur të mos deklarohen publikisht për ndeshjet ndaj Izraelit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: