Politikë
Kusari-Lila diskuton me Bankën Botërore dhe IFC-në për mbështetjen e bizneseve
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim përfaqësues të Bankës Botërore dhe IFC-së, me të cilët ka diskutuar për përfshirjen e Kosovës në një projekt rajonal që ka në fokus mbështetjen e bizneseve drejt avancimit të standardeve të qeverisjes korporative.
“Sot prita në takim përfaqësues të Bankës Botërore dhe IFC-së, të drejtuar nga Carole Megevand, Menaxhere për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Diskutuam për përfshirjen e Kosovës në një projekt rajonal që ka në fokus mbështetjen e bizneseve drejt avancimit të standardeve të qeverisjes korporative”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se në kohën kur qasja e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare po lehtësohet, veçmas në sektorin e shërbimeve me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së EFTA-s këtë javë, standardet e qeverisjes korporative janë një parakusht i rëndësishëm.
“Dy agjenci të MINTI-t, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe Agjencia e re për Inovacion dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (AIPNK), në koordinim edhe me Këshillin e Kosovës për Raportimin Financiar (KKRF), do të kenë rol kyç në zbatimin e këtij projekti, i cili financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO)”, ka thënë ajo.
Sipas Kusari-Lilës, krahas projektit aktual për zhvillimin e Eko Parqeve Industriale, kjo nismë e re në fushën e qeverisjes korporative e thellon edhe më tej bashkëpunimin e ministrisë me Bankën Botërore dhe IFC-në.
“Kjo nismë e re në fushën e qeverisjes korporative e thellon edhe më tej bashkëpunimin e ministrisë sonë me Bankën Botërore dhe IFC-në, të cilat i shohim si partnerë shumë të rëndësishëm në realizimin e reformave”,ka thënë Kusari-Lila.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: