Kronikë
Incident në Emergjencën e Ferizajt: Prokuroria kërkon paraburgim për personin që sulmoi mjekun kujdestar
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Ferizaj i është drejtuar Gjykatës Themelore në këtë qytet me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.J., i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të sulmit ndaj personit zyrtar.
Sipas dokumentit të prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 00:35, në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj, konkretisht brenda hapësirave të Shërbimit Emergjent Primar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). I pandehuri kishte dërguar atje babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dehur, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Gjatë kohës që stafi mjekësor po i jepte trajtimin e nevojshëm pacientit, i dyshuari ka ndërhyrë duke bërë presion mbi personelin. Për shkak të hapësirës së ngushtë dhe domosdoshmërisë për një ambient të qetë për trajtim, atij i është kërkuar që të dalë jashtë dhomës. Pasi ka refuzuar këtë kërkesë, ai e ka goditur me grusht në anën e majtë të fytyrës mjekun kujdestar F.F., duke u ngarkuar kështu me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas nenit 402, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në njoftimin e lëshuar nga institucioni i akuzës theksohet gjithashtu se, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga data 1 nëntor 2026, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën e përmendur penale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: