Kronikë
Aksident i rëndë në Librazhd: Makina bie në greminë, plagoset i riu dhe zbulohet një armë zjarri
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e pazakontë është shënuar në fshatin Farret të njësisë administrative Stravaj në Librazhd, ku një automjet i tipit “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka rënë në një humnerë me thellësi rreth 150 metra.
Drejtuesi i mjetit, i identifikuar si 22-vjeçari Renis Pajtim Kalnxhi, i lindur në vitin 2004, ka pësuar dëmtime dhe është dërguar urgjentisht në Spitalin e Librazhdit. Fatmirësisht, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor konfirmoi se gjatë kontrollit të ushtruar në vendngjarje nuk është konstatuar prania e personave të tjerë në makinë. Megjithatë, gjatë krehjes së zonës përreth automjetit të shkatërruar, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri të llojit pistoletë.
Sipas informacioneve paraprake, ekzistojnë dyshime të forta se i riu mund të jetë përfshirë në një konflikt të mëparshëm dhe se dëmtimet e tij mund të kenë ndodhur para se automjeti të dilte nga rruga.
Komisariati i Policisë së Librazhdit ka nisur hetimet intensive për të zbardhur plotësisht dinamikën e këtij incidenti dhe për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: