Sport
Ndarje pikësh në Çair: Shkëndija e Haraçinës dhe Tikveshi barazojnë në kushte të vështira
Reklamë e Sponsorizuar
Shkëndija e Haraçinës dhe Tikveshi janë ndarë baras me rezultatin 1:1 në sfidën hapëse të javës së 12-të në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Ndeshja u zhvillua këtë të premte në stadiumin e Çairit, teksa skuadrat u ballafaquan edhe me terrenin e rënduar dhe kushtet sfiduese atmosferike e fushore.
Skuadra nga Haraçina nisi furishëm takimin, duke zhbllokuar shifrat qysh në minutën e pestë. Ishte sulmuesi Marko Simonovski ai i cili shfrytëzoi hapësirën e krijuar para portës kundërshtare dhe u tregua i saktë, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi 1:0.
Pas këtij goli të hershëm, reagimi i mysafirëve nga Kavadari nuk vonoi. Tikveshi intensifikoi lojën dhe rrezikoi seriozisht portën vendase përmes Okere dhe Laval, por portieri Stolevski u dallua me pritje vendimtare për të ruajtur avantazhin.
Në anën tjetër, Shkëndija pati shansin e artë për të dyfishuar epërsinë, mirëpo tentativa e Elezit përfundoi jashtë kuadratit të portës.
Edhe gjatë fraksionit të dytë të lojës, Tikveshi mbeti këmbëngulës në aksionet sulmuese, ndërsa portieri Stefkowski vazhdoi të ishte pengesë e pakapërcyeshme në disa raste të rrezikshme të miqve.
Megjithatë, presioni i skuadrës mysafire solli fryte në minutën e 76-të. Lucianinho përfitoi nga një pakujdesi në prapavijën vendase dhe mposhti portierin, duke barazuar shifrat në 1:1.
Në minutat e mbetura të takimit, të dyja palët kërkuan golin e tri pikëve, por mungesa e saktësisë bëri që rezultati të mbetet i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit kryesor, Stojançe Stojanov.
Me këtë barazim, Shkëndija e Haraçinës e çon në pesë numrin e ndeshjeve radhazi pa shijuar fitoren. Ndërkohë, Tikveshi dështoi të marrë revansh për humbjen e vetme këtë sezon, të pësuar më 15 gusht në ndeshjen e javës së tretë, ku ishte mposhtur në shtëpi 0:1 pikërisht nga Shkëndija e Haraçinës.
Pas kësaj xhiroje, Tikveshi pozicionohet në vendin e tretë të tabelës me 21 pikë të grumbulluara, kurse Shkëndija e Haraçinës renditet në vendin e gjashtë me 15 pikë në llogarinë e saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: