Sport
Platforma e re dixhitale që afron shtetin me qytetarin: Rama zbulon katër shtyllat e “Pasqyrë Albania”
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të angazhuar në konfigurimin e platformës “Pasqyrë Albania”, për t'u njohur nga afër me risitë dhe funksionalitetet që ajo do të sjellë për publikun.
Sipas kreut të qeverisë, kjo niciativë e re është ndërtuar mbi katër shtylla themelore. Përmes saj, qytetarët do të kenë mundësinë të monitorojnë investimet publike dhe ecurinë e projekteve në zonat e tyre, të informohen për vendimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë, si dhe të ndjekin në kohë reale statusin e aplikimeve, shërbimeve dhe ankesave të tyre deri në fazën e trajtimit nga institucionet përgjegjëse. Po ashtu, platforma u jep mundësinë qytetarëve të japin opinionet e tyre mbi projektaktet në proces konsultimi publik.
“Këtu jemi me djemtë e shkëlqyer të AKSHI-t, të cilët kanë zhvilluar një tjetër projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne, i cili lindi si rezultat i reflektimeve pas manifestimeve të mëdha të protestës së fillimqershorit të flamingove dhe u premtua si një hap i rëndësishëm përpara në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit dhe anasjelltas për të adresuar një çështje kyçe ose më saktë ‘thembrën e Akilit’ të këtyre marrëdhënieve që është humbja e ankesës apo e kërkesës në oqeanin e burokracisë dhe nga ana tjetër janë një sërë elementësh të tjerë pa diskutim të ‘Pasqyrë Albania’-s që e transformojnë të gjithë shtetin në sytë e qytetarit me një klik me një dritare të vetme”, u shpreh kryeministri Rama, duke shtuar se pas punës intensive, projekti do të jetë së shpejti i aksesueshëm për qytetarët.
Nga ana e tyre, ekspertët e AKSHI-t shpjeguan se qëllimi kryesor i platformës është rritja e transparencës mbi investimet publike dhe garantimi që qytetari të mund të ndjekë çdo hap të kërkesave dhe ankesave të tij. Shtylla e parë, e pagëzuar me emrin “Shih”, i mundëson çdo qytetari të shohë në mënyrë transparente se çfarë po investohet në bashkinë e tij, si dhe të njihet me reformat dhe nismat prioritare që qeveria ka në zbatim.
Duke iu referuar kësaj shtylle, kryeministri Rama solli në vëmendje rastin e një qytetari nga Vlora, i cili do të ketë mundësinë të kontrollojë vetë gjendjen aktuale të projekteve në zonën e tij, përfshirë edhe ato që mund të jenë të vonuara apo të pezulluara. Sipas tij, kjo është një mënyrë që qytetari të ballafaqojë çdo informacion të pasaktë apo gjysmë të vërtetë që qarkullon në portale dhe kanale të ndryshme, duke përdorur “Pasqyrë Albania” për të parë realitetin e investimeve.
Ndërkohë, shtylla e dytë fokusohet te nocioni “Kupto”, përmes së cilës qytetarët njihen me vendimet dhe projektvendimet e miratuara nga bashkitë dhe këshillat bashkiakë. Ekspertët e AKSHI-t bënë të ditur se në platformë janë ngarkuar të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak duke filluar nga muaji shtator e në vijim. Gjithashtu, është zhvilluar edhe Asistenti Virtual, një mjet që i ndihmon qytetarët duke u dhënë përmbledhje të vendimeve të miratuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: