Kronikë
Tetë orë përballje dhe tensione në Tiranë: Molotovë, dëme dhe tre të ndaluar nga policia
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqyteti është përfshirë nga orë të tëra tensionesh dhe protestash të ndara në dy fronte kryesore, ku nga njëra anë studentët janë pozicionuar para Ministrisë së Arsimit dhe nga ana tjetër mbështetësit e opozitës janë mbledhur nën thirrjen e Partisë Demokratike.
Demonstrata e PD-së ka nisur me një marshim drejt Kryeministrisë, ku protestuesit, të udhëhequr nga deputetë të opozitës si Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati dhe figura të tjera, kanë qëndruar për rreth gjysmë ore. Ndonëse kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një ditë më parë kishte bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në këtë protestë kombëtare të thirrur për të shtunën në orën 12:00 në mbështetje të studentëve, ai vetë nuk ka marrë pjesë në këtë marshim.
Pasi kanë përfunduar qëndrimin e tyre para institucionit qeveritar, turma e udhëhequr nga ligjvënësit opozitarë është nisur drejt bulevardit për t'u bashkuar me studentët te Ministria e Arsimit. Me mbërritjen në hyrje të Rrugës së Durrësit, ata janë pritur me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa nuk kanë munguar as fërkimet verbale me një qytetar që kërkonte largimin e politikanëve të opozitës. Pavarësisht tensioneve të hershme dhe thirrjeve “Poshtë komunizmi”, dy grupet janë bashkuar më pas duke qëndruar në të njëjtën zonë.
Megjithatë, situata është përshkallëzuar ndjeshëm pranë Ministrisë së Arsimit, ku për rreth një orë Policia e Shtetit i është drejtuar turmës përmes thirrjeve të përsëritura, duke kërkuar ndalimin e hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta ndaj efektivëve. Autoritetet kanë deklaruar se personat që po kryenin këto veprime ishin të identifikuar dhe të maskuar, duke u bërë thirrje pjesës tjetër të protestuesve që të distancoheshin dhe të mos binin ndesh me ligjin.
Pavarësisht paralajmërimeve zyrtare, një pjesë e protestuesve kanë shkulur pllaka guri nga trotuaret për t'i hedhur në drejtim të forcave rendit. Një re tymi ka mbuluar zonën përreth ministrisë, e cila fillimisht u lidh me flakadanët, por më pas u sqarua se vinte nga djegia e kazanëve të mbeturinave, ndërsa turma vazhdonte skandimet “Ju erdhi fundi”.
Duke iu referuar aktit normativ të qeverisë për tubimet, policia ka kujtuar se mbajtja e maskave dhe dhuna ndaj efektivëve janë rreptësisht të ndaluara. Gjatë kësaj faze, reagimi i uniformave blu ka qenë kryesisht i përmbajtur, duke përdorur vetëm autobotin me ujë si masë parandaluese, derisa rreth orës 15:20 situata ka shpërthyer me hedhjen e breshërive të bombave molotov drejt policisë.
Pas disa orësh përplasjesh të vazhdueshme, protestuesit janë larguar nga zona e Ministrisë së Arsimit dhe janë rikthyer drejt Kryeministrisë, ku fillimisht kanë qëndruar të qetë. Megjithatë, rreth orës 17:00, situata ka marrë sërish kthesë të dhunshme kur disa nga protestuesit kanë hedhur molotovë ndaj efektivëve, duke detyruar policinë të ndërhyjë me autobotë dhe thirrje përmes megafonëve për të ndalur aktet e dhunës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: