Politikë
Qeveria miraton fondin prej 5 milionë lekësh për kurimin e Erion Vishkullit, i plagosur gjatë protestës
Reklamë e Sponsorizuar
Këshilli i Ministrave ka zyrtarizuar mbështetjen financiare për Erion Vishkullin, 28-vjeçarin që pësoi dëmtime të rënda në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Qeveria ka miratuar një fond prej 5 milionë lekësh, i cili do të shërbejë për të mbuluar shpenzimet e domosdoshme të trajtimit mjekësor të të riut.
Sipas vendimit të publikuar, ky fond do të sigurohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Procedura e pagesës do të finalizohet pas dorëzimit të faturave përkatëse nga institucioni shëndetësor ku Vishkulli po vijon kurimin. Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me kuadrin ligjor për buxhetin e vitit 2026.
Ngjarja e rëndë ndodhi në sheshin “Skënderbej” gjatë përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit. Pasi mori ndihmën e parë dhe iu nënshtrua një operacioni urgjent në Spitalin e Traumës, Vishkulli u dërgua për trajtim më të specializuar drejt Italisë, për shkak të dëmtimit të rëndë të shkaktuar nga një plumb gome.
Ndërkohë, organi i akuzës në Tiranë po vijon hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të incidentit. Në kuadër të këtyre veprimeve, Prokuroria i është drejtuar autoriteteve italiane me një letërporosi, përmes së cilës ka kërkuar sekuestrimin e objektit që i është hequr nga syri 28-vjeçarit. Hetimet janë fokusuar edhe te sjellja e efektivëve të policisë, për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ka qenë në përputhje me ligjin apo nëse ka pasur tejkalim të kompetencave gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: