Kronikë
Haradinaj hedh akuza ndaj pushtetit: Fushatë shpifjesh ndaj nesh sepse nuk përkulemi para regjimit
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes një videomesaji lidhur me akuzat dhe fushatën e shpifjeve që, sipas tij, pushteti po i drejton ndaj familjes së tij në lidhje me rastin e ndjerë të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Haradinaj u shpreh se të gjitha këto sulme dhe dezinformata orkestrohen pikërisht për shkak se ai dhe subjekti politik që drejton refuzojnë t'i nënshtrohen qeverisjes aktuale. Gjatë fjalës së tij, ai renditi një sërë vendimesh dhe qëndrimesh opozitare që kanë shërbyer si kthesë në raport me pushtetin.
“Aleanca nuk u bë pjesë e lojërave me takime me Kurtin. Aleanca ka kërkuar interpelancë për abuzimin me tregti me energji. E kemi ngrit zërin për tenderat njëburimor. E kemi ngritë zërin për kapjen e institucioneve të drejtësisë, në gjykata, prokurori dhe të gjitha institucioneve të pavaruara. Me të drejt e kemi ngritur zërin edhe në rastin e vrasjes së një nëne. Ne kemi bë kujdes mos me keqpërdor tragjedinë e askujt. Kemi bë kujdes dhe i kemi rujt vlerat e familjesh shqiptare. Ta dini që sulmet që bëhen ndaj nesh, nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim por me faktin se aleanca nuk i nështrohet regjimit. Ata duke e pa që ne nuk nënshtrohemi, po përdorin sulme të ndryshme, shpifje të ndryshme ndaj nesh. Nga frika se qytetarët një ditë do të revoltohen e do të dalin në rrugë për të gjithë këto të padrejta që po i bëhen qytetarit. Po, nëse qytetarët do të dalin në rrugë ne i mbështesim. Po, do të jemi me popullin. Jo, asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit,” – ka deklaruar ndër të tjera Haradinaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: