Politikë
Përplasje në Mitrovicë: PDK bojkoton seancën, Ibrahimi dhe Peci përplasen për diskursin publik
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut kanë braktisur sallën e mbledhjeve gjatë seancës së 13-të të rregullt. Ky vendim është marrë në shenjë pakënaqësie ndaj asaj që opozita e ka cilësuar si gjuhë fyese dhe linçuese të përdorur nga kryetari i komunës, Faton Peci.
Shkëlqim Ibrahimi, në cilësinë e shefit të grupit të asamblistëve të PDK-së, ka deklaruar se kjo masë protestuese pasoi deklaratat publike të kreut të komunës dhe qasjen e tij ndaj anëtarëve opozitarë. Duke përmendur një rast nga emisioni “Context”, ku Peci kishte diskutuar rreth një fotografie të tij, Ibrahimi solli në vëmendje një paralele me mandatin e kaluar. Ai kujtoi se pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve të opozitës në atë kohë, përfaqësuesit e PDK-së nuk kishin lëshuar kurrë akuza apo fyerje publike, duke respektuar institucionet e drejtësisë dhe prezumimin e pafajësisë.
“Për një sekuencë në emisionin ‘Context’, që e ka pasur kryetari në lidhje me një foto timen dhe që e ka keqinterpretuar. Por fillimisht dua të flas për normën që ka qenë në mandatin e kaluar, domethënë komunikimin mes asamblistëve të opozitës, pozitës dhe ekzekutivit në raport me opozitën. Vetëm dua t’ia tregoj një fakt kryetarit: në mandatin e kaluar janë arrestuar dy asamblistë të opozitës në Kuvend, ndërsa ne kemi qenë 14 asamblistë. Ekzekutivit dhe kryetarit kurrë nuk ua kemi dhënë të drejtën të dalin publikisht për ta linçuar dikë, për ta etiketuar, për të përdorur gjuhë fyese apo për ta shfrytëzuar politikisht situatën e tyre, për shkak të identitetit njerëzor, respektimit të institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, respektimit të prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kryetar, dua ta rikujtoj se ka pasur lajme të ndryshme para fushatës lokale për ju…”, u shpreh Ibrahimi.
Në krahun tjetër, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ngritura nga shefi i opozitës në Kuvend, duke theksuar se nuk është në dijeni të etiketimeve për të cilat u akuzua.
“Me thënë të drejtën, kam filluar të mos habitem me asnjërin prej fenomeneve, as me mënyrën e diskursit dhe as me atë që po ndodh me politikën tonë të përditshme. E para, do të thotë, zoti Ibrahimi, krejt çka diskutoi janë të pavërteta. Unë nuk po e di as për çka po flet. Për këto epitete, ‘cuba’, janë krejt të panjohura për mua dhe nuk e di as çfarë ka thënë. Nuk e di dhe nuk kam dëgjuar, së paku në seanca e as në diskurs publik. Tash, pse dikush, një asamblist, qenka aq i prekur pse dikush prej administratorëve të mi në Facebook, që janë pesë, ia paska bërë bllok? Unë kam pasur vetëm një sugjerim për ta: ‘Ata që ofendojnë dhe shpifin’. Do të thotë, Facebook-u e ka paraparë që ka njerëz të tillë që abuzojnë me postimet në Facebook dhe pason një bllokim. As nuk e shikoj unë se cili është postimi i tij, as nuk e di kush e merr bllokim nga Facebook-u im, për shkak se nganjëherë e përdori edhe unë, por janë edhe pesë të tjerë që janë administratorë të faqes sime. Tjetra, në rast se dikush në Kosovë, në këto pesë vite, nuk mund t’i bëjë konkurrencë vetëm Albin Kurtit për sa i përket linçimit, fyerjeve dhe shpifjeve, jam unë. Edhe gjatë fushatës për të cilën foli ky zotëri, nuk kanë pasur vetëm lajme, por ka pasur linçime, shpifje dhe gënjeshtra rreth meje”, deklaroi Peci.
Ndërkaq, njoftimit të ngjarjeve i është shtuar edhe reagimi i nënkryetarit të komunës, Enis Osmani, i cili ka vlerësuar se largimi i asamblistëve të PDK-së nga salla nuk lidhet me arsyet e deklaruara, por fsheh pas vetes tendenca për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit dhe çështjen e përfshirjes së aksionarëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: