Kronikë
Vrasja e Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj para gjykatës: U mundova ta parandaloj tragjedinë, ndiej keqardhje
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur të martën, më 27 tetor, që t'i caktojë masën e paraburgimit të pandehurit Jeton Sylaj, i cili dyshohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sylaj është ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra në mbrëmjen e 25 tetorit nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ngjarja tragjike ndodhi vetëm pak kohë pasi viktima kishte denoncuar në Polici Jeton Sylajn për dhunë në familje.
Në dokumentet e siguruara nga vendimi i gjykatës për caktimin e kësaj mase, bëhet e ditur se gjatë seancës dëgjimore, i pandehuri Sylaj u shpreh i tronditur, duke theksuar se ndien keqardhje të madhe për ngjarjen dhe se ka bërë çmos për ta parandaluar atë.
Në krahun tjetër, gjatë dëshmisë së josur në stacionin policor natën që u vra, e ndjera Arlinda Zekaj kishte shprehur shqetësimin e saj të thellë ndaj mungesës së reagimit të institucioneve, duke u drejtuar efektivëve të rendit me pyetjen se a duhet vallë që ajo të vritet nga Jeton Sylaj që policia të vendosë ta arrestojë atë.
Gjatë seancës, prokurori i shtetit, Argzon Hasi, kërkoi fuqimisht që të mbahet masa e paraburgimit, duke argumentuar se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore. Prokurori përmendi se gjatë intervistimit në njësinë e dhunës në familje, viktima kishte treguar se i pandehuri e kishte kanosur rëndë me fjalët “unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon më kështu me vepru, kush je ti”, para se t'ia merrte rrobat dhe t'ia hidhte në oborr.
Sipas dosjes hetimore, i pandehuri Jeton Sylaj rezulton me gjashtë raste të tjera penale të hapura në sistemin e drejtësisë, ku katër prej tyre i përkasin vitit 2026. Për këtë arsye, Prokuroria ka vlerësuar se lënia e tij e lirë do të përbënte rrezik arratisjeje për t'i ikur përgjegjësisë.
Në mbrojtje të të pandehurit, avokati Gani Kelmendi, i caktuar sipas detyrës zyrtare, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Ai ka deklaruar se klienti i tij ndihet i penduar për situatën e krijuar dhe se nuk ka ushtruar kurrfarë dhune fizike ndaj ish-bashkëshortes së ndjerë. Sipas avokatit, Sylaj paraprakisht kishte kërkuar ndihmën e policisë që të mos e lejonin viktimën të kthehej në shtëpi për shkak të raporteve të acaruara.
Kelmendi ka sqaruar gjithashtu se debati i natës kritike kishte nisur pasi i pandehuri i kishte kërkuar viktimës të mos i largonte rrobat nga lavatriçja para se të laheshin, ndërsa ka mohuar pretendimet rreth kanosjeve verbale. Mbrojtja ka shtuar se nuk ekziston rrezik arratisjeje, pasi pasaporta e të pandehurit gjendet në duart e hetuesve, duke propozuar një masë alternative.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, vetë i pandehuri Jeton Sylaj e kundërshtoi ashpër paraburgimin, duke ngritur shqetësimin se ka një fëmijë 12-vjeçar, vendndodhja e të cilit nuk dihet tash për tash dhe i cili ka nevojë urgjente për kujdesin e tij prindëror.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: