Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Spektakël në Superligë: Vllaznia përmbys Besëlidhjen, Teuta e Partizani nuk falin

Redaksia Lajmetereja • 25-10-2026 20:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Spektakël në Superligë: Vllaznia përmbys Besëlidhjen, Teuta e Partizani nuk falin
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur ndeshjet e javës së tretë, e cila solli emocione të mëdha, surpriza dhe sfida të vendosura në sekondat e fundit. Në kryendeshjen e kësaj jave zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Vllaznia ka arritur një triumf spektakolar me përmbysje ndaj kampionëve në fuqi të Besëlidhjes me rezultatin e ngushtë 84-82, duke i shkaktuar kështu lezhjanëve humbjen e parë për këtë edicion. Pjesa e parë foli plotësisht për Besëlidhjen, e cila krijoi një epërsi të ndjeshme duke mbyllur fraksionin e parë të lojës me shifrat 51-34. Megjithatë, shkodranët reaguan furishëm në 20 minutat e dyta, duke përmbysur disavantazhin dhe siguruar fitoren në sekondat e fundit të sfidës, falë paraqitjes fantastike të Mogbo, i cili e mbylli takimin me 20 pikë dhe 11 “rebound”. Në takimet e tjera, Teuta ka vuajtur jo pak, por ka arritur të ruajë ecurinë e fitoreve duke mposhtur në parketin e saj Skënderbeun me shifrat 80-72, në një përballje të luftuar deri në sekondat e fundit. Hubbart me 22 pikë ishte pika e referimit për durrsakët e pamposhtur deri më tani, ndërsa 23 pikët e realizuara nga Carter shërbyen vetëm për statistikë në kampin korçar. Një ndeshje tepër e fortë dhe dramatike u zhvillua në Vlorë, ku Partizani u është dashur të kalojë përmes kohës shtesë për të mposhtur Flamurtarin 103-95, duke regjistruar kështu suksesin e parë sezonal. Edhe pse Engels realizoi 33 pikë për vlonjatët ato nuk mjaftuan për triumf, pasi te kryeqytetasit shkëlqeu Mejia, i cili ishte lider i pakontestueshëm në fushë me 41 pikë të shënuara. Surpriza e kësaj jave është regjistruar në Fier, ku Kamza Basket ka triumfuar me shifrat 77-74 ndaj Apolonisë, në një ndeshje tejet të ekuilibruar nga fillimi deri në fund. Dyshja e formuar nga Hancik dhe Morammed udhëhoqi kamzalinjtë drejt fitores me 43 pikë të kombinuara, duke fituar duelin e distancës me dyshen Thames-Davis, të cilët kontribuan me 45 pikë për fierakët. Ndërkohë, Tirana duket se ka lënë pas krizën e rezultateve, duke korrur fitoren e parë të këtij sezoni pas një paraqitjeje bindëse ndaj Pogradecit, të cilin e mposhti me rezultatin e thellë 110-65. Në takimin e luajtur në “Fahri Hoti”, skuadra bardheblu u shkëput qysh në periodën e parë dhe e administroi avantazhin deri në fund, me Kok që bëri diferencën në parket duke shënuar 24 pikë. Rezultatet e javës së 3-të në Superligën e Meshkujve: Flamurtari – Partizani, 95-103 Apolonia – Kamza Basket, 74-77 Tirana – Pogradeci, 110-65 Besëlidhja – Vllaznia, 82-84 Renditja aktuale e kampionatit pas tri javëve të para: Vllaznia 6 pikë, Teuta 6 pikë, Besëlidhja 5 pikë, Kamza Basket 4 pikë, Partizani 4 pikë, Skënderbeu 4 pikë, Tirana 4 pikë, Pogradeci 4 pikë, Elbasani 3 pikë, Flamurtari 3 pikë, Apolonia 3 pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar