Ekonomi
Trazirat në Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë alarmohet për goditjen që po marrin sipërmarrjet
Reklamë e Sponsorizuar
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka ngritur zërin lidhur me zhvillimet e fundit dhe protestat e dhunshme në kryeqytet, duke theksuar se ruajtja e qetësisë publike, sigurimi i pronës private dhe ndalja e çdo forme të përshkallëzimit kërkojnë ndërhyrje të organizuar dhe bashkëpunim të ngushtë nga organet kompetente.
Në deklaratën e lëshuar për media, theksohet se ngjarjet e fundit duhet të analizohen brenda pasqyrës më të gjerë të vështirësive me të cilat përballet përditë sipërmarrja vendase.
“Të gjithë aktorët kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime të mund të adresohen në përputhje me mekanizmat demokratikë”, thuhet në qëndrimin zyrtar.
Sipas të dhënave nga terreni, Dhoma Amerikane e Tregtisë rikujton se një numër i madh kompanish kanë pësuar dëme materiale dhe bllokim të punës së tyre, duke u ndjerë të pambrojtura nga strukturat shtetërore të thirrura për të garantuar sigurinë.
“Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës. Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Është po aq shqetësuese që pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të cenojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për investime në Shqipëri”, vijon deklarata.
Në këtë linjë, ky institucion i rëndësishëm ekonomik u bën thirrje ekzekutivit, institucioneve ligjzbatuese dhe gjithë palëve të tjera që të ulen sa më parë për të gjetur një rrugëdalje nga kriza e krijuar.
“Veprimet e menjëhershme, të koordinuara dhe të përgjegjshme janë thelbësore për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e njerëzve dhe të pronës publike e private, si dhe ruajtjen e vijimësisë së aktivitetit të bizneseve.
Të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë duhet të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët përmes dialogut konstruktiv dhe angazhimit efektiv, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së Shqipërisë”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: