Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Buxheti 2026: Dështon amendamenti për 1 milion euro shtesë për protezat e invalidëve të luftës

Redaksia Lajmetereja • 21-10-2026 10:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Buxheti 2026: Dështon amendamenti për 1 milion euro shtesë për protezat e invalidëve të luftës
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026 ka sjellë përplasje në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili nuk ka dhënë dritën jeshile për ndarjen e 1 milion eurove dedikuar pajisjeve mjekësore dhe protezave për invalidët e luftës. Propozimi në fjalë, i cili kishte ardhur nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, dështoi të siguronte shumicën e votave në Komisionin e Buxhetit, duke regjistruar pesë vota pro, asnjë kundër dhe pesë abstenime. Kryetari i komisionit, Enver Haliti, gjatë diskutimit sqaroi se qëllimi i këtij amendamenti ishte sigurimi i fondeve të nevojshme për pajisjen e invalidëve të luftës me mjete të domosdoshme mjekësore dhe proteza. "Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksualetë Luftës dhe për Persona të Pagjetur në nenin 6 të projektligjit ka bërë që ka të bëjë me nenin 32 të ligjit bazik të paragrafit 2, neni 32a, në fund të tekstit shtohet teksti si në vijim. Të shtohet edhe 1 milion euro për pajisjet, protezat dhe mjetet tjera mjekësore për invalidët e luftës", u shpreh Haliti. Në anën tjetër, Ministri i Financave, Hekuran Murati, e kundërshtoi këtë nismë duke theksuar se ky shqetësim tashmë ka marrë një zgjidhje të qëndrueshme institucionale që nga marsi i vitit 2024, përmes një udhëzimi administrativ që mundëson mbulimin e shpenzimeve përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. "Në lidhje me këtë çështje, tashmë ka rregullim institucional, pra që prej marsit të vitit 2024 është miratuar udhëzimi administrativ, i cili e mbulon këtë këst përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pra, është miratuar udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amandament i tillë", tha ministri Murati. Më tej, Haliti bëri të afrimet e informatave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilave vendimet e marra gjatë vitit 2024 kanë siguruar mbështetje financiare për vendosjen, mirëmbajtjen dhe zëvendësimin e protezave për kategoritë e invalidëve të luftës dhe atyre civilë. "Unë kam marrë një informatë nga Ministria e Shëndetësisë ku na kanë njoftuar që me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në vitin 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta që kanë të bëjnë me personat me status të invalidit të luftës, UÇK-së, dhe me personat me status të invalidit civil të luftës, ku përmes këtyre vendimeve është përcaktuar edhe mundësia e mbulimit financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezës sipas kërkesave individuale të aplikuesve, duke respektuar rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi. Sipas raporteve të trajtimit dhe rimbursimit, deri më tani nga këto vendime kanë përfituar 103 persona. Do të thotë, janë 58 invalidë të luftës, UÇK-së, dhe 45 invalidë të civilë të luftës. Çka do të thotë që të gjitha kërkesat që kanë ardhur në për mbulimin e shpenzimeve të gjitha rastet 100% janë zgjidhur dhe janë ofruar me përjashtim të një rasti që është në shqyrtim e sipër. Përndryshe, të gjitha kërkesat janë mbuluar dhe kanë marrë zgjidhje", shtoi ai. Pavarësisht këtyre të dhënave, nënkryetari i komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka dalë në mbrojtje të amendamentit, duke ngritur shqetësimin se ende ka ankesa të vazhdueshme nga invalidët e luftës lidhur me mbulimin e shpenzimeve të tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar