Aktuale
Pabarazia pronësore në fokus: Vetëm 5 për qind e pasurive në Kosovë mbajnë emrin e grave
Reklamë e Sponsorizuar
Sfidat me të cilat ballafaqohen gratë rurale në sipërmarrje, ku mungesa e pronësisë dhe nivelet e ulëta të përfshirjes mbeten pengesat kryesore, u trajtuan në një panair të organizuar nga organizata “EcoKosWomen” në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, ngjarje kjo e cila u shënua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale.
Në mesin e ekspozuesve që prezantuan prodhimet e tyre bujqësore ishin edhe Shkurije Hasani dhe Drita Kadriu. Ato ndanë përvojat e tyre, duke theksuar se ky aktivitet siguron të ardhura të konsiderueshme për mirëqenien familjare, por shoqërohet edhe me vështirësi të shumta. Ato shprehën shqetësimin se mbështetja nga shteti mungon, ndërkohë që të gjitha shpenzimet për sigurimin e lëndës së parë dhe mbarështimin e procesit duhet t'i mbulojnë vetë nga buxheti i tyre familjar.
Në fjalën e tij, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, vuri theksin te roli vendimtar i grave në biznes dhe premtoi angazhim institucional për kapërcimin e barrierave ekzistuese. Ai bëri me dije se çështja e pronës mbetet shqetësimi kryesor, duke sjellë në vëmendje statistikat se vetëm pesë për qind e pronave në territorin e Kosovës regjistrohen në emër të grave, ndërsa shtoi se skemat e ardhshme të granteve do të jenë më gjithëpërfshirëse për t'i fuqizuar ato në jetën ekonomike dhe bujqësore.
Ndërkohë, drejtuesi i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të grave në ekonominë e vendit, duke kërkuar angazhim më të madh përkrahës. Vëmendje ndaj kësaj shtrese i kushtoi edhe drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, e cila ritheksoi se gratë sipërmarrëse kërkojnë mbështetje të vazhdueshme institucionale për të zhvilluar më tej veprimtarinë e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: