Sport
Liga e Kombeve: Kosova kërkon triumfin e radhës në udhëtimin e vështirë ndaj Austrisë
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të zbresë sonte në fushën e stadiumit në Vjenë për t'u matur me Austrinë, në kuadër të ndeshjes së dytë për këtë edicion të Ligës së Kombeve.
"Dardanët" këtë përballje e presin me moral të lartë, pas triumfit minimal 1-0 ndaj Irlandës të arritur tri ditë më parë në stadiumin "Fadil Vokrri". Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesja jonë ka përmbyllur përgatitjet me seancën e fundit stërvitore para këtij takimi me austriakët, të cilët vlerësohen si favoritë kryesorë të grupit.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, gjatë konferencës për media para kësaj sfide, pranoi se e pret një ndeshje tejet e vështirë, por theksoi se skuadra është plotësisht e gatshme për këtë sfidë.
"E kemi analizuar lojën e tyre. I njoh disa lojtarë që kanë luajtur kur isha unë. E di çfarë na pret. Austria luan në mënyrë agresive, bën presion të lartë, prandaj duhet të bëjmë kundërpresion. Ne jemi të përgatitur, por në fushë do të vendosin detajet", u shpreh Foda.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, i cili konfirmoi gatishmërinë e grupit për këtë duel të rëndësishëm, duke ritheksuar se synimi afatgjatë mbetet paraqitja në një ngjarje të madhe evropiane apo botërore.
"Ekipa është në gjendje të mirë dhe jemi gati për nesër", tha ai, duke shtuar: "Synimi gjithmonë ka qenë që të kualifikohemi në një turne të madh. Pak nga pak jemi afruar, por shpresoj që tani me Ligën e Kombeve të kemi një shans më shumë në play-off. Austria ka eksperiencë dhe është favorite, por edhe ne i kemi shanset tona".
Në këtë përballje, të dyja kombëtaret vijnë pas fitoreve në xhiron hapëse të këtij cikli evropian; Kosova mposhti Irlandën me shifrat 1-0, ndërsa Austria triumfoi ndaj Izraelit me rezultatin 3-1.
Ndeshja mes Austrisë dhe Kosovës do të nisë në ora 18:00.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: