Sport
“Nuk do të shohim kurrë më një lojtar si ai” – Ander Herrera thur elozhe për Lionel Messin
Reklamë e Sponsorizuar
Lionel Messi mbetet një talent i papërsëritshëm në historinë e futbollit. Ky është vlerësimi i fortë i mesfushorit të Real Zaragozës, Ander Herrera, i cili thekson se gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka dëshmuar kurrë diçka të krahasueshme me yllin argjentinas. Gjatë një interviste të gjerë dhënë për ish-mbrojtësin e kombëtares angleze, Rio Ferdinand, spanjolli 37-vjeçar ka ndarë kujtime nga rrugëtimi i tij i pasur te klube si Athletic Bilbao, Manchester United, Paris Saint-Germain dhe Boca Juniors.
Duke ndarë përshtypjet e tij për gazetën spanjolle “Marca”, Herrera foli me admirim për ish-bashkëlojtarin e tij në Paris. Për spanjollin, Neymar mishëron artin dhe magjinë e kësaj loje, ndërsa Kylian Mbappe ngjan me një “superhero”. Megjithatë, kur në bisedë u përfshinë emrat e tyre së bashku me Messin, mesfushori bask shtoi edhe Angel Di Marian në listën e elitës, duke u rikthyer sërish te argjentinasi si një rast i vetëm dhe i pashoq në fushën e blertë.
Madhështia e kampionit botëror, sipas Herrerës, nuk manifestohej vetëm gjatë 90 minutave të ndeshjeve zyrtare, por edhe në intensitetin e çdoditshëm. Ai veçoi vazhdimësinë e jashtëzakonshme të Leos në seancat stërvitore, duke e quajtur të pabesueshëm faktin se ai praktikisht nuk e humbiste kurrë topin gjatë përgatitjeve.
Sipas veteranit të mesfushës, sekreti i suksesit në një skuadër me përmasa të tilla qëndron te kuptimi i roleve. Një lojtar duhet të pranojë hierarkinë, të identifikojë yllin e vërtetë dhe të vërë veten në shërbim të tij. Ai shpjegoi se kishte ndërtuar një empati të shëndoshë me ta, duke u krijuar hapësirat e nevojshme, sepse në fund, prania e tyre në fushë e bënte çdo bashkëlojtar më të mirë, mjaftueshëm sa t'u jepje topin dhe të ishe gati për çdo zhvillim të aksionit.
I pyetur mbi sfidën e menaxhimit të një dhomë zhveshjeje të mbushur me personalitete të mëdha, Herrera pranoi se detyra është sfiduese por e realizueshme, duke përmendur shembullin e Carlo Anancelottit te Real Madridi me yje si Cristiano Ronaldo, Gareth Bale, Karim Benzema dhe Sergio Ramos.
Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se trajnerë të tjerë, si Luis Enrique te Paris Saint-Germain, kanë ndjekur një qasje tjetër duke zgjedhur të mos mbështeten te figura individuale që mund të sillnin dinamika të komplikuara, një strategji e cila, sipas tij, ka sjellë rezultatet e veta në kryeqytetin francez.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: