Politikë
Vandalizmohen mbi 15 filiale bankare në vend, Ministrja Ibrahimaj jep garanci për kursimet e qytetarëve
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka inspektuar gjatë ditës së sotme një nga degët e bankave që ka pësuar dëmtime materiale gjatë trazirave të dhunshme të shënuara në vend përgjatë ditëve të fundit. Gjatë kësaj vizite, ajo ka dashur të qetësojë opinionin publik lidhur me mbrojtjen e kursimeve dhe stabilitetin e përgjithshëm financiar.
Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga ministrja, deri më tani janë shënuar dëmtime në më shumë se 15 filiale bankash në mbarë vendin, duke prekur drejtpërdrejt pikat e shërbimit ku qytetarët tërheqin pagat e tyre, kryejnë pagesa faturash apo zhvillojnë transaksione të ndryshme financiare të përditshme.
“Janë mbi 15 filiale bankash, të cilat janë goditur nga dhuna e ditëve të kaluara. Aty ku marrin pagat, aty ku kryhen transaksione, paguajmë faturat. Në jetën tonë të përditshme ne i drejtohemi shërbimeve që bankat ofrojnë”, u shpreh ndër të tjera ajo.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Ibrahimaj garantoi se sulmet ndaj infrastrukturës fizike të bankave nuk rrezikojnë në asnjë mënyrë fondet e tyre, pasi sistemi bankar në Shqipëri gëzon mbikëqyrje rigoroze dhe kapitalizim të lartë.
“Unë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët që depozitat e tyre janë të sigurta. Depozitat nuk qëndrojnë nëpër sirtarë të degëve të bankave. Ato janë në një sistem financiar të shëndoshë, i cili është i mbikëqyrur dhe i mirëkapitalizuar”, theksoi ministrja.
Gjatë fjalës së saj, ji ka bërë përgjegjës organizatorët e protestave të dhunshme, duke i akuzuar se qëllimi i tyre i vetëm është përhapja e pasigurisë dhe goditja e ekonomisë kombëtare, ndërsa shtoi se skenarë të ngjashëm të së kaluarës nuk do të lejohen të përsëriten.
“Atyre që organizojnë dhunën e përditshme dua t’u them se do të dështojnë në tentativën e tyre për të destabilizuar ekonominë shqiptare. Ata nuk mund të përsërisin skenarin e vitit ’97, me ‘Suden’ dhe skemat e firmave piramidale”, u shpreh ajo.
Në përmbyllje të prononcimit të saj, ministrja Ibrahimaj ritheksoi se ruajtja e besimit të publikut te institucionet financiare dhe garantimi i rendit ekonomik mbeten shtylla të panegociueshme.
“Shqiptarët nuk e duan dhunën. Shqiptarët nuk e duan rrëmujën. Dhe Shqipëria është e shqiptarëve”, përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: