Sport
Pse trajneri serb e la Xherdan Shaqirin në stol? Detajet nga Zvicra
Reklamë e Sponsorizuar
Xherdan Shaqiri u përfshi në lojë vetëm dhjetë minutat e fundit të sfidës ndaj Stade Nyonnais, por kontributi i tij ishte i rëndësishëm për t'i dhënë qetësi skuadrës së Baselit në fushë.
Baseli arriti një fitore të pastër 3:0 kundër Nyonit, duke prerë kështu biletën për në fazën e 1/8 së finales në Kupën e Zvicrës. Por, çfarë fshihej pas vendimit të trajnerit serb të Baselit, Sllavisha Jokanoviq, për ta lënë kapitenin e tij në bankën rezervë?
Pavarësisht paralajmërimeve se do të hidhte në fushë formacionin më të fortë të mundshëm, strategu Jokanoviq vendosi ta linte Shaqirin jashtë njëmbëdhjetëshe së parë. Kapiteni i bardhekaltërve po përballet sërish me disa shqetësime të vogla fizike në kofshë, çka bëri që duelin ta niste nga stoli.
Për mesfushën, tekniku serb përzgjodhi dyshen Omeragiq dhe Metinho, ndërkohë që repartin e sulmit ia besoi Çelarit dhe Kolotos. Ndryshe nga paraqitja e zbehtë në humbjen 3:0 kundër Vaduzit, kësaj radhe Baseli tregoi më shumë përkushtim, megjithëse loja e treguar mbetet ende larg standardeve të pritshme.
Vështirësitë në qarkullimin e topit dhe gabimet e shpeshta gjatë ndërtimit të aksioneve e komplikuan situatën për skuadrën nga Baseli. Nga ana tjetër, Stade Nyonnais dështoi të përfitonte nga këto dhurata, për shkak të limitimeve në fazën offensive.
Gjatë pjesës së dytë, vendasit patën mundësinë e artë për të rihapur ndeshjen, kur Migeli goditi shtyllën nga distanca e afërt. Më pas, portieri i Baselit, Jonas Omlin, u bë shpëtimtar me disa pritje vendimtare, duke i dhënë skuadrës së tij ndeshjen e parë pa pësuar gol që nga muaji korrik.
Aktivizimi i Xherdan Shaqirit solli një stabilitet më të madh në lojën e Baselit. Megjithatë, kapiteni nuk pati ndikim direkt te goli i tretë, i cili u realizua nga Malouda, një tjetër lojtar i futur nga stoli.
Vlen të theksohet se edhe ky gol i fundit erdhi si pasojë e një gabimi të mbrojtjes vendase, e cila po kalon një moment tejet delikat në këtë edicion.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: