Politikë
Maqedonci në Shkollën Diplomatike: Paqja dhe mbrojtja kërkojnë partneritet global dhe koordinim institucional
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka qenë folës kryesor në edicionin e 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, një organizim i Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij eventi, kreu i mbrojtjes zhvilloi një bashkëbisedim produktiv me diplomatë të rinj që vijnë nga shtete të ndryshme të Azisë, Afrikës, Evropës dhe kontinenteve amerikane, duke diskutuar mbi sfidat globale të sigurisë, diplomacinë dhe partneritetet ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, ministri vuri në pah lidhjen e ngushtë mes diplomacisë dhe mbrojtjes, rreziqet aktuale të sigurisë, si dhe domosdoshmërinë e ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse të shtetit të Kosovës.
Ai u shpreh se mbrojtja e një vendi nuk mbështetet vetëm te arsenali ushtarak, por kërkon një qasje të gjerë që përfshin diplomacinë, ndërtimin e institucioneve stabile dhe aleancat e forta ndërkombëtare.
Ndër të tjera, Maqedonci përmendi bashkëpunimin e ngushtë me vendet aleate të NATO-s, rritjen e industrisë së mbrojtjes dhe zbatimin e Programit Gjithëpërfshirës të Mbrojtjes, si shtylla kryesore të angazhimit të Kosovës për një të ardhme më të mbrojtur dhe stabile.
Po ashtu, ai lartësoi kontributin e gjeneratës së re të diplomatëve në krijimin e urave lidhëse mes popujve, thellimin e mirëkuptimit reciprok dhe avancimin e paqes në botë.
Në mbyllje të fjalës së tij, Maqedonci përsëriti se siguria mbetet një mision i përbashkët, i cili arrin efektivitetin e plotë vetëm kur diplomacia, dikasteret e mbrojtjes dhe aleatët strategjikë veprojnë në sinergji të plotë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: