Sport
Blendi Gonxhja pas protestës: Asnjë barrikadë nuk e ndalon rrugën evropiane të Shqipërisë, dënon dhunën dhe shkatërrimet
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me zhvillimet dhe protestën e mbajtur ditën e sotme, duke shprehur dënimin e ashpër ndaj akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës publike.
Ndërsa ka pranuar se e drejta për të protestuar mbetet e pacenueshme, Gonxhja ka vënë theksin te domosdoshmëria e ruajtjes së qetësisë, karakterit paqësor të tubimeve dhe mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare, ku përfshihen objektet e kulturës, monumentet dhe muzetë.
Në mesazhin e tij të plotë, ministri Blendi Gonxhja u shpreh:
Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!
Lidhur me këtë situatë, ai u bëri thirrje organizatave studentore, këshillave studentore dhe senateve akademike që të distancohen menjëherë nga aktet e dhunës dhe të kontribuojnë në ruajtjen e natyrës paqësore të protestës, duke paralajmëruar se heshtja përballë dhunës u lënë hapësirë elementëve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë evropiane.
Gjithashtu, ministri ka kërkuar vëmendje të veçantë për mbrojtjen e objekteve kulturore, monumenteve dhe muzeve, duke kërkuar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit që të shmangin çdo veprim që rrezikon këto pasuri. Sipas tij, ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin e përbashkët, ndaj asnjë kauzë nuk mund të justifikojë cenimin e pasurisë kombëtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: