Aktuale
Kompany plas pas kartonit të kuq të Olises: Veprim i papranueshëm, na dëmtoi rëndë
Reklamë e Sponsorizuar
Kamprati gjerman i Bayern Munichut po zien nga mllefi ndaj Michael Olises, pas përjashtimit të francezit me karton të kuq në barazimin dramatik 3-3 kundër Viking Stavangerit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Anësori i talentuar e humbi a ekuilibrin emocional gjatë një dyluftimi me kapitenin kundërshtar, Zlatko Tripic, të cilit ia gjuajti topin në kokë me dashje. Pasi kishte tashmë një karton të verdhë mbi supe, Olise u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën në baltë.
Treneri i bavarezëve, Vincent Kompany, nuk i përmbajti dot fjalët e ashpra për të besuarin e tij, duke e cilësuar gjestin si një papërgjegjësi totale.
“Ky karton i kuq është një budallallëk i madh. E kemi diskutuar qartë këtë çështje. Michael duhet ta kontrollojë veten më mirë. Ai e di këtë”, u shpreh Kompany për “Prime Video”, mjaft i revoltuar.
Strategu belg nuk e fshehu zhgënjimin që lojtari i tij e sabotoi ekipin në një fazë kruciale të sfidës, por u shpreh se shpreson që kjo ngjarje të shërbejë si një kthesë pozitive për të ardhmen.
“Shpresoj që ky të jetë një nga ato momente kur mund të themi se kemi mësuar nga kjo përvojë dhe jemi bërë më të fortë”, shtoi ai ndër të tjera.
Edhe sulmuesi kryesor, Harry Kane, doli me një prononcim pas ndeshjes, duke bërë thirrje që francezi të reflektojë mbi gabimin e tij foshnjarak.
“Michael është plotësisht i shkatërruar, por duhet ta marrë përgjegjësinë mbi vete. Duhet të mësojë nga kjo”, tha kapiteni i kombëtares angleze.
Ky ndëshkim do t’i kushtojë shtrenjtë 22-vjeçarit, i cili do të detyrohet të ndjekë nga tribuna përballjen e ardhshme të madhe evropiane kundër Arsenalit.
“Ai do të jetë i dëshpëruar që do t’i humbasë këto ndeshje, por kështu është futbolli”, u shpreh tutje Kane.
Në anën tjetër, drejtori sportiv i klubit, Max Eberl, la të kuptohet se llogaritë e klubit me lojtarin nuk janë mbyllur me kaq, duke mos e përjashtuar një sanksion financiar. I pyetur për një gjobë të mundshme, ai u përgjigj se situata do të menaxhohet me gjakftohtësi.
Frustrimi në radhët e gjermanëve nuk buronte vetëm nga kartoni i kuq. Bayerni kishte realizuar një përmbysje spektakolare nga një disavantazh prej dy golash në 3-2, por lëshoi fitoren nga duart duke pësuar në minutën e 90-të.
Për më shumë se 15 minuta lojë, gjermanët u detyruan të djersinin me një lojtar më pak në fushë, çka ndikoi direkt në humbjen e kontrollit dhe të fitores.
Për Olisen, kjo mbrëmje evropiane mbetet për t'u harruar, aq më tepër kur kapiteni i Vikingut, Zlatko Tripic, pranoi hapur se e kishte provokuar me dashje për ta nxjerrë nga binarët.
“Është fantastike që një lojtar i tillë, i cili ndoshta një ditë do ta fitojë Topin e Artë, u zemërua për shkak të një lojtari nga Oftebro dhe Lyngdal. Ai nuk duhej të priste të ndihej shumë rehat këtu”, deklaroi Tripic për televizionin norvegjez “TV2”.
“Kur arrita ta shpërqendroja nga ajo që e bën jashtëzakonisht mirë, ai humbi kontrollin dhe ma gjuajti topin në fytyrë. Ndjej se e fitova atë duel me të”, përfundoi norvegjezi.
Kështu, krahas dy pikëve të lëuara rrugës, gjiganti bavarez rrezikon të paraqitet i mangët në sfidat e ardhshme të Champions League, ndërsa Olise tashmë duhet të mbajë mbi supe peshën e gabimit të tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: