Kronikë
Vijojnë tensionet, studentët ndezin tre zjarre në rrugë dhe refuzojnë të shpërndahen
Reklamë e Sponsorizuar
Protesta studentore vijon prej orës 14:00 mes tensioneve të herëpashershme në Rrugën e Durrësit, ku të rinjtë kanë bllokuar kryqëzimin dhe kanë ndezur tre zjarre në mes të rrugës. Njëri është në fillim të “Rrugës së Durrësit”, një te degëzimi me “Mine Pezën”, ndërsa po digjet edhe një tabelë reklamash.
Pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të policisë për t'i shpërndarë, protestuesit nuk janë tërhequr, duke vijuar qëndresën dhe thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama.
“Poshtë Edi Rama!”, dëgjohet të thërrasin studentët, të cilët vijojnë të mbajnë kryqëzimin të bllokuar, ndërsa prania e forcave të rendit mbetet e shtuar.
Ndërkohë, efektivët e policisë kanë krijuar një kordon për të penguar kalimin e protestuesve drejt Ministrisë së Arsimit. Në zonë janë vendosur edhe automjete policie, të cilat kanë bllokuar rrugën që të çon drejt godinës së institucionit.
Forcat e rendit kanë tentuar disa herë të shpërndajnë studentët, por këta të fundit kanë vijuar protestën, ndërsa situata është shoqëruar me momente tensioni.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit dhe u shoqërua me përplasje mes studentëve dhe policisë. Gjatë tubimit, efektivët ndërhynë disa herë me gaz lotsjellës dhe autobote me ujë me presion, ndërsa u raportuan persona të lënduar dhe 23 të shoqëruar.
Bllokimi i Rrugës së Durrësit dhe i kryqëzimeve përreth ka shkaktuar trafik të rënduar, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe funksionimin e transportit publik në disa akse të kryeqytetit.
Studentët, të cilëve iu bashkuan edhe qytetarë, kanë dalë në protestë për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete dhe konvikte, si dhe ndryshime në drejtimin e vendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: