Politikë
Protesta e studentëve në Tiranë përshkallëzohet në akte dhune
Reklamë e Sponsorizuar
Studentë dhe qytetarë kanë protestuar sot para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe të Ministres së Arsimit.
Një prej studentëve pjesëmarrës u shpreh se protesta nuk është një reagim i përkohshëm, por do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
“Kemi ardhur që t’i japim fund sistemit komunist. Do të vazhdojmë me këto protesta, nuk kemi dalë për një ditë, por për të ardhmen tonë. Jemi mbledhur përmes rrjeteve sociale”,deklaroi ai.
Ndërkohë, një tjetër student theksoi se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat nuk janë adresuar prej 36 vitesh.
“Nuk ka kërkesa, janë kërkesa për nevoja të studentëve që nuk janë plotësuar prej 36 vitesh. Nuk duam negociata me Edi Ramën, por vetëm dorëheqje”, tha një student tjetër.
Me thirrjet “Pa rini nuk ka Shqipëri”, apo edhe “Poshtë qeveria”, studentët shprehen se nuk ka pasur një reagim nga ana e institucioneve shtetërore për plotësimin e kërkesave të tyre.
Protesta u përshkallëzua në akte dhune ku disa të rinj qëlluan me kapsollë, gurë, tullumbace me ujë, bidona dhe vezë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit, raporton ATSH.
Po ashtu, protestuesit kanë shkulur kangjellat rrethuese dhe pllakat e trotuarit në rrugën e Durrësit dhe kanë thyer xhamat e godinës së institucionit.
Gjatë kësaj proteste nuk munguan as flakadanë të hedhur edhe ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, ata shkruan me bojë mbi muret e ministrisë disa mesazhe si “Ministria e Krimit”, “Rezisto”, “Dorëheqje”, por edhe tentuan të shqyenin derën e hekurit për të hyrë brenda në godinë.
Policia u bëri thirrje pjesëmarrësit në këtë protestë që të distancohen nga aktet e dhunës. Për shkak të përshkallëzimit të protestës, kanë ndërhyrë efektivët duke tentuar të shpërndajnë protestuesit të cilët tentuan për të hyrë në mjediset e brendshme të Ministrisë së Arsimit, duke i shpërndarë me ujë me presion.
Policia mori në kontroll oborrin e Ministrisë duke larguar të rinjtë.
Protestuesit vijuan të qëllojnë me kangjellat e shkulura nga rrethimi i rrugës, ndërsa policia ndërhyri me hedhjen e gazit lotsjellës.
Policia shoqëroi disa të rinj protestues ndërsa pjesa më e madhe e tyre u shpërndanë. Qytetarë e të rinj studentë vijuan të qëndrojnë përgjatë Rrugës së Durrësit ku ndodhet Ministria e Arsimit, ndërsa policia ka marrë në kontroll zonën.
Mediet raportuan për dy të lënduar gjatë protestës, ndërsa priten njoftimet zyrtare nga policia për numrin e të shoqëruarve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: