Sport
Gazeta franceze zbulon marrëveshjen mes FIFA-s dhe familjes Trump, afro katër milionë dollarë për zyra kryesisht të zbrazëta
Reklamë e Sponsorizuar
Gazeta franceze “Le Monde” ka zbuluar një tjetër lidhje mes presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Sipas dokumenteve të siguruara nga mediumi francez, FIFA ka lidhur një kontratë shtatëvjeçare për marrjen me qira të zyrave në kullën “Trump Tower” në New York, për një shumë që arrin në afro katër milionë dollarë. Megjithatë, pjesa më e madhe e hapësirave thuhet se qëndron e pashfrytëzuar.
Sipas “Le Monde”, FIFA ka nisur ta përdorë këtë hapësirë më 1 qershor 2025, duke marrë me qira një zyrë prej 450 metrash katrorë, në katin e 17-të të ndërtesës. Kontrata parashikon pagesa për një periudhë prej shtatë vjetësh e shtatë muajsh, me vlerë totale prej rreth 3.57 milionë dollarësh.
Marrëveshja është arritur përmes filialit të FIFA-s, FIFA Americas Incorporation, me kompaninë Trump Tower Commercial LLC, e cila është e regjistruar në New York dhe drejtohet nga Eric Trump, djali i presidentit amerikan, Donald Trump.
Dokumentet, sipas gazetës franceze, tregojnë se kontrata është nënshkruar në maj të vitit 2025 nga katër anëtarë të bordit, ndërsa në dokument figuron edhe nënshkrimi i sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström.
Një tjetër detaj që ka ngritur pikëpyetje është fakti se FIFA nuk kishte vizituar hapësira të tjera dhe as nuk kishte krahasuar oferta nga kompani të ndryshme përpara se të vendoste për “Trump Tower”. Sipas “Le Monde”, kjo ishte ndryshe nga procedura e ndjekur në Miami.
Këto rrethana thuhet se kanë shkaktuar shqetësime të brendshme te disa zyrtarë të FIFA-s, të cilët kanë ngritur çështjen e një konflikti të mundshëm interesi dhe të mosrespektimit të procedurave të zakonshme të organizatës.
Sipas përllogaritjeve të gazetës franceze, FIFA paguan mesatarisht rreth 470 mijë dollarë në vit, ose afërsisht 41 mijë dollarë në muaj, për zyrën në fjalë. Kontrata përfshin gjithashtu një rritje vjetore fikse prej dy për qind për shpenzimet operative.
Edhe pse marrëveshja parashihte një ulje të përkohshme të qirasë gjatë muajve të parë, shuma e pagesave rritet drejt fundit të kontratës. Për shtatë muajt e fundit, pagesa e parashikuar arrin në 533 mijë dollarë, krahasuar me 455 mijë dollarë në vitin e dytë.
Në përgjigjen e dhënë për “Le Monde”, FIFA ka mbrojtur marrëveshjen, duke këmbëngulur se çmimi është në përputhje me tregun dhe se organizata respekton të gjitha ligjet lokale.
“FIFA paguan qira sipas çmimeve të tregut për këto hapësira dhe respekton të gjithë legjislacionin lokal”, thuhet në përgjigjen e organizatës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: