Politikë
Masë ndëshkimore e paligjshme, Tabaku i dalë në krah Bardhit dhe Balliut në Konferencën e Kryetarëve
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka hedhur poshtë vendimin e fundit të Komisionit të Etikës për përjashtimin e kolegëve të saj, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliut, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Ajo e ka cilësuar këtë masë si një shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit dhe të papranueshme.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku ka ngritur shqetësimin edhe lidhur me nismat për ndryshimin e kalendarit të punimeve parlamentare, duke theksuar se kalendari aktual është tashmë i mbingarkuar me çështje të rëndësishme, nisma ligjore dhe interpelanca të pambyllura.
Sipas saj, prioriteti i Kuvendit duhet të jetë shqyrtimi i projektligjeve të mbartura nga seancat e kaluara dhe buxheti, në vend që axhenda të pësojë ndryshime të vazhdueshme.
Në vijim të fjalës së saj, deputetja demokrate u shpreh: "Dua t’ju kujtoj, zoti kryetar, se vendimi i Komisionit të Etikës, i marrë ditën e djeshme, është në shkelje të plotë të Rregullores. Madje, ai tregon se nuk ka asnjë vlerësim dhe asnjë ndjeshmëri për zbatimin e saj.
Përjashtimi për 60 ditë është i përcaktuar qartë në Rregullore dhe zbatohet vetëm në raste të caktuara. Vendimi për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është i papranueshëm.
Besoj se ky vendim është në të njëjtën frymë me propozimin që paraqitet sot për të shkelur sërish Rregulloren.
Sa i përket programit të punës, kalendari dhe projektprogrami janë mjaft të ngarkuar. Nuk është se kemi pak projektligje. Interpelancat janë parashikuar, ndërsa buxheti do të vijë për shqyrtim. Për këtë arsye, ne jemi kundër propozimit për ndryshimin e tyre.
Do të ishte e nevojshme që të mos kishim asnjë javë të gjelbër, në vend që të punojmë një javë dhe të mos punojmë javën tjetër.
Prandaj, besoj se duhet të fokusohemi te interpelancat që u shtynë herën e kaluar, te projektligjet që u shtynë po ashtu dhe te kalendari që kemi përpara."
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: