Botë
Dështimi i ekzekutimit në SHBA: Përgjimet zbulojnë kaos dhe vonesa fatale në ndërhyrjen mjekësore për Christa Pike
Reklamë e Sponsorizuar
Audio-regjistrimet e thirrjeve të emergjencës, të zbardhura pas përpjekjes së dështuar për ekzekutimin e 50-vjeçares Christa Pike në Tenesi të Shteteve e Bashkuara, kanë nxjerrë në pah një situatë konfuzioni mes stafit të burgut dhe shërbimeve të shpëtimit. Ky keqkuptim solli shtyrje të ndjeshme në dhënien e ndihmës mjekësore, pasi e dënuar me vdekje mbijetoi pavarësisht marrjes së dy dozave të substancës fatale.
Sipas dokumenteve audio të bëra publike, kontakti i parë me numrin e emergjencës 911 u vendos më 30 shtator, fiks në orën 20:40, pra më shumë se 60 minuta pasi kishte nisur procesi i ekzekutimit me injeksion. Megjithatë, për shkak se personi që telefonoi dështoi të komunikonte kodin e saktë të verifikimit, operatorët ngritën dyshime se bëhej fjalë për një alarm fals.
Sipas të dhënave nga Departamenti i Komunikimeve të Emergjencave, deri në orën 21:03 thirrja u klasifikua zyrtarisht si e rreme, duke u anuluar nevoja për dërgimin e ekipeve mjekësore në mjediset e burgut Riverbend.
Situata ndryshoi vetëm në orën 21:11, kur zyrtarët e burgut pranuan se bëhej fjalë për një ngjarje reale dhe autorizuan futjen e forcave të shpëtimit brenda perimetrit të sigurisë së lartë. Mjetet e emergjencës dhe zjarrfikëset u paraqitën pranë godinës ku ndodhej Pike rreth orës 21:14.
Christa Pike ishte përballur me dënimin kapital për shkak të vrasjes së bashkëmoshatares dhe shoqes së saj të klasës, Colleen Schlemmer, ngjarje e ndodhur në vitin 1995, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe.
Në bazë të protokolleve zyrtare të ekzekutimit në Tenesi, në rast se doza e parë nuk sjell vdekjen, parashikohet dhënia e një doze të dytë të pentobarbitalit. Megjithatë, rregulloret aktuale lënë boshllëqe, duke mos specifikuar qartë se cili hap duhet ndjekur nëse i dënuari mbetet gjallë edhe pas aplikimit të dozës së dytë.
Referuar të dhënave të publikuara, pas injeksioneve Pike humbi ndjenjat dhe shfaqi vështirësi të rënda në frymëmarrje. Gjendja e saj ishte aq kritike sa avokatët mbrojtës shfaqën frikë se ajo nuk do të mbijetonte. Pavarësisht kësaj, 50-vjeçarja arriti të rimarrë vetëdijen, nisi të artikulonte fjalë me mundim dhe madje eci me mbështetje. Më pas, ajo u dërgua për mjekim dhe u kthye sërish në burgun e grave, ku ka kaluar rreth tri dekada duke vuajtur dënimin.
Zbardhja e këtyre regjistrimeve ka ngritur pikëpyetje të reja rreth mënyrës sesi u menaxhua kriza dhe mbi shkallën e përgjegjësisë institucionale për zvarritjen e ndërhyrjes shëndetësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: