Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Sulm kibernetik masiv në Francë: Hakerët ngrohin frigoriferët e supermarketeve deri në 50 gradë Celsius

Redaksia Lajmetereja • 12-10-2026 21:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Sulm kibernetik masiv në Francë: Hakerët ngrohin frigoriferët e supermarketeve deri në 50 gradë Celsius
Një valë e paprecedentë e sulmeve kibernetike ka vënë në shënjestër qindra supermarkete anembanë Francës, duke manipuluar sistemet e ftohjes dhe duke shkaktuar dëme materiale e prishje të produkteve ushqimore në vlerë miliona eurosh. Sipas informacioneve të disponueshme, autorët e sulmit arritën të merrnin nën kontroll softuerin e specializuar që menaxhon temperaturat e pajisjeve ftohëse, duke i detyruar ato të çlironin nxehtësi deri në 50°C gjatë orëve të natës. Ky softuer, i cili përdoret nga shitësit me pakicë për të kontrolluar njësitë ftohëse në distancë, ishte zhvilluar nga kompania daneze e inxhinierisë “Danfoss”. Drejtuesi i lartë i “Coopérative U”, Dominique Schelcher, e cilësoi incidentin përmes një postimi në platformën X si një ngjarje “jashtëzakonisht serioze dhe të paprecedentë”, duke shtuar se stafi mbetet i mobilizuar për normalizimin e situatës në bashkëpunim me ekspertët e ftohjes. Në shënjestër të këtij sulmi ranë mbi 100 dyqane të “Coopérative U”, ndërsa agjencia e lajmeve AFP raportoi se u prekën gjithashtu të paktën 300 dyqane të “Intermarché” dhe markës “Netto”. Në listën e subjekteve të goditura përfshihen edhe gjigantë të tjerë të tregtisë ushqimore si “Carrefour”, “Monoprix” dhe “E.Leclerc”. Ndonëse ftohësit e supermarketeve zakonisht kalojnë në një cikël të shkurtër shkrirjeje gjatë natës me rritje të lehtë të temperaturës, kësaj radhe hakerët urdhëruan ngrohjen e vazhdueshme të njësive. Nga ana e saj, “Danfoss” bëri të ditur se pajisjet e prekura i përkisnin modeleve më të vjetra, të cilat nuk mund të përditësoheshin nga ana e sigurisë përballë një rreziku që kompania kishte identifikuar më parë. Llogaritjet paraprake sugjerojnë se nga rreth 15,000 dyqane që operojnë në total në Francë, janë prekur afërsisht 500 prej tyre. Konkretisht, “Carrefour” raportoi se frigoriferët ishin manipuluar në 80 nga 6,000 dyqanet e veta, ndërsa “Monoprix” konfirmoi se sulmi preku 5% të më shumë se 400 dyqaneve të saj, duke u detyruar të tërhiqnin nga shitja ushqimet për të cilat nuk kishte garanci sigurie. Grupi “Mousquetaires”, pronar i “Intermarché” dhe “Netto”, njoftoi se disa nga njësitë e ekspozimit të produkteve të freskëta dhe të ngrira mbetën jashtë funksionit edhe gjatë pasdites së së hënës. Megjithatë, përmes një deklarate për BBC, ata siguruan se dyqanet morën të gjitha masat e duhura për të larguar mallrat e dëmtuara dhe se punonjësit po angazhohen intensivisht për rimbushjen e rafteve. Sipas agjencisë Reuters, “Intermarché” konfirmoi se frigoriferët e saj qëndruan në 50°C për gjashtë orë gjatë natës mes së dielës dhe së hënës, duke e detyruar kompaninë të asgjësonte të gjitha ushqimet e prekura për të ruajtur shëndetin e konsumatorëve. Kur menaxherët mbërritën në ambientet e degëve përkatëse mëngjesin e së hënës, u përballen me valë të nxehta ajri që dilnin nga pajisjet ftohëse, ndërsa në disa raste u shfaqën madje edhe zjarre të vogla. Prokuroria e Parisit ka hapë tashmë një hetim të dedikuar për krimin kibernetik, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm kibernetik në shkallë të gjerë që preku frigoriferët e disa rrjeteve të mëdha të shitjes së ushqimeve në të gjithë Francën”. Në lidhje me këtë incident, Komisioneri Evropian për Ushqimin, Christophe Hansen, reagoi në platformën X duke dënuar sulmin dhe duke paralajmëruar: “Siguria ushqimore kërkon më shumë vëmendje në të gjitha nivelet, sepse shndërrimi i ushqimit në armë është bërë realitet”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar