Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Skandali financiar në FIFA: Gianni Infantino dyshohet se ka marrë miliona dollarë fshehurazi

Redaksia Lajmetereja • 12-10-2026 19:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Skandali financiar në FIFA: Gianni Infantino dyshohet se ka marrë miliona dollarë fshehurazi
Kreu i shtëpisë më të madhe të futbollit botëror, Gianni Infantino, gjendet në qendër të një polemike financiare, pasi dyshohet se ka siguruar miliona dollarë shtesë përtej të ardhurave të tij zyrtare, fonde të cilat nuk janë pasqyruar kurrë në bilancet vjetore të organizatës. Sipas të dhënat e siguruara nga një hulumtim medial, një pjesë e këtyre pagesave dyshohet se janë kaluar përmes subjektit juridik FWC2026 US Inc., një kompani e krijuar posaçërisht për mbarëvajtjen dhe organizimin e Kampionatit Botëror të vitit 2026 që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në bazë të dokumentacionit zyrtar, gjatë vitit 2024 kreu i FIFA-s arkëtoi 4.274 milionë franga zvicerane (rreth 3.88 milionë funte) sipas pasqyrës vjetore. Megjithatë, letrat tatimore të dorëzuara pranë Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së (IRS) dëshmojnë se atij i janë transferuar edhe 1.76 milionë dollarë të tjera (afërsisht 1.3 milionë funte). Kjo shifër shtesë nuk figuron fare në raportin financiar zyrtar që FIFA ka dorëzuar për publikun dhe institucionet. Paralelisht, burimet e medias sugjerojnë se Infantino mund të ketë përfituar shuma të ngjashme ose më të larta gjatë viteve 2025 dhe 2026, ndonëse shuma totale e kësaj periudhe mbetet ende e paqartë dhe e padeklaruar plotësisht. Hulumtimi ngre gjithashtu shqetësime se një pjesë e këtyre parave janë shfrytëzuar për të paguar shpenzimet personale të jetesës së Infantinos në qytetin e Majamit, në kuadër të përgatitjeve për Botërorin. Ndër to veçohet qiraja e një vile luksoze buzë oqeanit, e cila kap vlerën e dhjetëra mijëra dollarëve në muaj. Në anën tjetër, të dhënat tregojnë se sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, dhe drejtuesi i Concacaf-it, Victor Montagliani – pavarësisht se ky i fundit kryesonte bordin e kompanisë amerikane – nuk kanë marrë fonde shtesë nga i njëjti burim. E pyetur lidhur me këto transaksione dhe mungesën e transparencës në raportim, udhëheqësja e futbollit botëror nuk ka ofruar një sqarim të drejtpërdrejtë për opinionin publik. Një përfaqësues i organizatës u mjaftua duke theksuar se të ardhurat vjetore dhe kompensimet e kreut të institucionit përcaktohen rreptësisht nga Nënkomiteti i Shpërblimeve i FIFA-s. “FIFA kontribuon në sigurimet shoqërore, fondin e pensioneve dhe përfitimet e tjera të punësimit të përcaktuara në kontratën e presidentit, ashtu siç pasqyrohet në raportin vjetor të FIFA-s. Këto përfitime u raportohen autoriteteve amerikane në përputhje me kërkesat përkatëse të raportimit”, thuhet në reagimin zyrtar. Pavarësisht këtij qëndrimi, përgjigjja e institucionit nuk ka adresuar pikën kyçe të ngritur nga hetimi: arsyen pse pagesat përmes kompanisë amerikane u lanë jashtë raporteve financiare vjetore. Këto zhvillime të reja vijnë në një moment tejet delikat për Infantinon, i cili po përballet me kritika të shumta për mënyrën se a po e menaxhon organizatën. Më herët gjatë kësaj vere, e njëjta gazetë pati raportuar edhe për një nismë që parashikonte shitjen e aksioneve të lidhura me Kupën e Botës tek investitorët privatë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar