Sport
Goditje për Amedsporin dhe Kosovën: Lumbardh Dellova rrezikon një muaj jashtë fushave
Reklamë e Sponsorizuar
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, ka rrezikuar të mungojë për rreth katër javë në fushën e blertë, pas dëmtimit të pësuar në sfidën e fundit të Superligës turke mes Amedsporit dhe Gençlerbirligit, e cila u mbyll me barazimin 2-2.
Futbollisti u detyrua të braktisë lojën para kohe, saktësisht në minutën e 84-t të takimit, për shkak të një shqetësimi fizik që e detyroi stafin mjekësor të ndërhynte menjëherë.
Në lidhje me situatën e qendërmbrojtësit, klubi turk ka lëshuar një komunikatë zyrtare, ku bën të ditur se lojtarit i është nënshtruar rezonanca magnetike dhe tashmë ka nisur procesin e rikuperimit.
“Futbollisti ynë, Lumbardh Dellova, i cili pësoi lëndim në ndeshjen ndaj Gençlerbirligit, i është nënshtruar ekzaminimeve me rezonancë magnetike dhe ka nisur trajtimin. Ekipi ynë mjekësor po vazhdon procesin e trajtimit me qëllim që futbollisti të rikthehet në fushë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Amedsporit.
Ndërkohë, raportimet nga shtypi turk bëjnë me dije se periudha e mungesës së tij pritet të jetë së paku një muaj, ndërsa koha e saktë e kthimit do të varet nga reagimi i trupit ndaj terapisë.
Kjo pauzë e detyruar vjen në një moment delikat edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, ku Dellova luan një rol kyç në prapavijë. “Dardanët” përgatiten për dy sfidat e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve gjatë muajit nëntor, ku fillimisht do të presin Izraelin në Prishtinë më 14 nëntor, për ta mbyllur ciklin në udhëtim ndaj Irlandës në Dublin më 17 nëntor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: