Sport
Ilir Kulla: Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente, aset i çmuar për diplomacinë dhe integrimin evropian të Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka bërë një analize të thelluar rreth zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit të Kosovës, duke vënë në pah profilin e saj profesional dhe ndikimin që ajo mund të ketë në skenën ndërkombëtare.
I ftuar në emisionin “Matrix” me gazetarin Mehmet Kalisi, Kulla e ka cilësuar Shiroka-Pulën si një figurë të konsoliduar dhe teknike, e cila ka kapacitetin për të qenë përfaqësuese e unifikuar e të gjithë spektrit politik. Ai veçoi gjithashtu përkatësinë e saj fetare katolike dhe rrënjët e saj familjare nga qyteti i Shkodrës.
“Zonja presidente është një figurë e mirë, një figurë teknike, do të thosha, i përfaqëson të gjitha palët. Është edhe katolike, gjë që është shumë e rëndësishme për Kosovën, që të ecë rrugës drejt BE-së, që të ketë një presidente katolike. Aq më tepër, kur një pjesë e akuzave në Hagë ishte se janë kryer krime kundër katolikëve në Kosovë. Kjo është edhe më e rëndësishme në këtë moment”, u shpreh Kulla gjatë intervistës.
Duke u ndalur te trashëgimia e saj familjare, njohësi i çështjeve rajonale përmendi lidhjet e forta të presidentes me Shqipërinë dhe kontributin e gjerë të familjes së saj ndër breza.
“Është me origjinë nga Shqipëria dhe vjen nga një familje shumë e madhe nga Shkodra, që ka nxjerrë artistë, poetë e biznesmenë. I urojmë suksese, edhe pse do ta ketë pak të vështirë”, theksoi ai.
Kulla shtoi se përtej profilit personal të të parës së shtetit, prioritet mbetet stabiliteti ekonomik dhe politik i vendit, si dhe domosdoshmëria e funksionimit efikas të institucioneve shtetërore.
“Konfigurimi i situatës ekonomike dhe politike të Kosovës pas këtij momenti është shumë më i rëndësishëm, sepse institucionet duhet të jenë funksionale. Kësaj zonje do t’i duhet, paradoksalisht, të bëjë edhe detyrën e presidentes së shtetit, por edhe diplomacinë e kryetarit të shtetit në botë, në mënyrë që të rikuperohen edhe ato avantazhe që, padrejtësisht, gjatë këtij hendikepi dyvjeçar, Kosova i humbi në marrëdhëniet ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër, ai sugjeroi që diplomacia presidenciale të orientohet drejt sigurimit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, duke shfrytëzuar mundësitë që ofrojnë raportet me shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.
“Do t’i sugjeroja që prioritet i saj të jenë njohjet e reja të Kosovës dhe të vazhdojë pikërisht duke shfrytëzuar faktin se ajo është katolike. Edhe në botën katolike, nëpërmjet Vatikanit, mund të ndryshojë raportet me disa vende që nuk na njohin, e sidomos me vendet katolike, duke filluar nga Spanja”, sugjeroi Kulla.
Sipas tij, angazhimi aktiv i presidentes Shiroka-Pula mund të shërbejë si një mekanizëm kyç për të thyer ngërçet diplomatike dhe për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: