Kronikë
Vala e krimeve në familje, kriminologu Ademi: Jemi përballë një krize të thellë morale dhe shoqërore
Reklamë e Sponsorizuar
Seria e vrasjeve tragjike që kanë tronditur vendin gjatë ditëve të fundit dëshmon për një krizë të thellë të vlerave morale dhe rrezikun real të shpërbërjes shoqërore në Kosovë, vlerëson kriminologu Mensut Ademi.
Gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin "Five", eksperti i fushës së sigurisë theksoi se vendi ynë ende nuk ka arritur pjekurinë e duhur institucionale dhe shoqërore për të parandaluar dhe ndalur dhunën fatale brenda unitetit familjar.
"Ne si shoqëri kemi rënë në një krizë të vlerave shoqërore… koha dhe veçoritë që shkojmë kah dimri, në aspektin kriminologjik janë ato veçoritë e depresionit. Po ne kemi qenë në një depresion të thellë familjar në familje. Në bazë të këtij dhe i kemi pa gabimet e hapave si shoqëri, se cilat janë kriteret dhe karakteristikat e vetëdijesimit të popullit tonë. Kur them popullit, them edukimit të familjes", u shpreh Ademi.
Më tej, ai bëri thirrje që këto ngjarje makabre të shërbejnë si kambanë alarmi për të gjithë faktorët e shoqërisë, duke paralajmëruar se mungesa e ndërhyrjeve urgjente në edukim dhe vlera mund të sjellë përshkallëzim edhe më të rëndë të situatës.
"Ne deri tash kemi pasur vrasje në familje dhe ende nuk jemi pjekur si shoqëri, por është një paralajmërim se po shkojmë kah dezorganizimi, ku mund të kemi vrasje mes vëllait e motrës, vrasje masive në familje", paralajmëroi ai.
Këto analiza vijnë në pasqyrë të një serie krimesh të rënda brenda mureve shtëpiake të regjistruara kohëve të fundit në Kosovë, ku përfshihen rasti ku një person dyshohet se i dha jetën bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe ngjarja tjetër tragjike ku një baba dyshohet se vrau të birin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: