Aktuale
Vonesa në mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet, ‘Pastrimi’ fajëson orarin e ri në Mirash
Reklamë e Sponsorizuar
Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” u ka kërkuar falje qytetarëve për ngecjet dhe mosrealizimin e planit të rregullt të largimit të mbeturinave në disa lagje të Prishtinës, si dhe në komunat e tjera ku ajo shtrin veprimtarinë e saj.
Përmes një njoftimi zyrtar, ndërmarrja ka sqaruar se këto probleme kanë lindur për shkak të vendimit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila duke filluar nga 1 tetori ka ndryshuar orarin e punës, duke caktuar mbylljen e deponisë në Mirash në mesnatë.
Sipas sqarimeve nga “Pastrimi”, kufizimi i orarit pamundëson përmbylljen e cikleve të punës gjatë orëve të natës, duke prishur kështu dinamikën e përditshme të shërbimit.
“Shërbimi i grumbullimit të mbeturinave kërkon orar të pandërprerë për 24 orë, siç kemi operuar deri më tani”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kompanisë.
Ndërmarrja ka sqaruar gjithashtu se menaxhimi i deponisë nuk përfshihet në përgjegjësitë e saj, duke rikujtuar se KMDK-ja është ndërmarrje publike qendrore që vepron në mënyrë të pavarur.
Pavarësisht sfidave të krijuara në terren, drejtuesit e kompanisë kanë bërë të ditur se brigadat e punëtorëve janë në terren duke bërë përpjekje maksimale për të kompensuar kohën e humbur.
“Ekipet tona mbeten të angazhuara maksimalisht për të rikuperuar vonesat dhe për të vazhduar shërbimin sa më shpejt, me qëllim që të minimizohet çdo ndikim për qytetarët dhe shëndetin publik”, theksohet në njoftim.
Në fund, “Pastrimi” ka bërë me dije se po zhvillon bisedime të vazhdueshme me drejtorinë e deponisë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për tejkalimin e kësaj situate.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: