Sport
Formë e lartë dhe fitore ndaj Skënderbeut, trajneri i Teutës, Edlir Tetova analizon triumfin e durrsakëve
Reklamë e Sponsorizuar
Teuta ka konfirmuar ecurinë e saj pozitive në kampionat, duke regjistruar një tjetër fitore bindëse, kësaj radhe përballë Skënderbeut.
Ndeshja e vlefshme për javën e 6-të të “Abissnet Superiore” u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të skuadrës nga Durrësi. Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi të zhvilluar në stadiumin e tyre, trajneri i durrsakëve, Edlir Tetova, ka ndarë përshtypjet e tij për mediat.
"A jemi në rrugën e duhur? Besoj se po, zhvilluam një paraqitje mjaft të mirë, veçanërisht në fraksionin e parë të lojës, ku ushtruam presion të lartë. Në momentin e rinisjes dhe të balancimit të presingut, pas ndëshkimit me karton të kuq, u detyruam të fokusoheshim te mbrojtja," u shpreh fillimisht ai.
I pyetur nëse strategjia e tij ishte që kundërshtari të vuante dhe nëse kishte rrezikuar me këtë qasje, Tetova sqaroi: "Nuk ishte diçka e diktuar si taktikë e mirëmenduar për të vuajtur, por rrjedhojë e formës së presingut. Skënderbeu ndryshoi skemë dhe unë u detyrova të kaloja te moduli 4-2-3-1 për të pasur më shumë qartësi në fushë. Një avantazh prej dy golash nuk është gjithmonë plotësisht i sigurt, por pasi mbetëm me 10 lojtarë, u detyruam të kërkonim një ekuilibër më të madh dhe të mos linim hapësira."
Gjatë prononcimit të tij, kreu i stafit teknik u ndal edhe te rëndësia e mospranimit të golave dhe fati që e shoqëroi skuadrën: "Sa më gëzon porta e paprekur dhe prania e fatit? Sigurisht, sulmi të jep fitoret, por mbrojtja të afron me titullin e kampionatit dhe kjo gjë rrit vetëbesimin. Është ligji i pashkruar i futbollit. Pjesa e parë ishte e përsosur."
Në fund të analizës së tij, Tetova theksoi rëndësinë e vazhdimësisë dhe situatën e grupit: "Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët zbatojnë në fushë pikërisht atë që unë kërkoj. Kjo qasje kërkon vazhdimësi dhe ajo që më la mbresat më pozitive ishte sakrifica dhe vuajtja e repartit defensiv.
Sa i përket hierarkisë në skuadër, ua kam bërë të qartë futbollistëve: do të aktivizoj gjithmonë atë lojtar që më përshtatet më shumë në funksion të nevojave të ekipit, siç është rasti me Woltain dhe Maçollin. Së shpejti presim edhe rikuperimin e lojtarëve që vijnë nga dëmtimet, dhe atëherë do të kemi një skuadër të plotë në dispozicion," përfundoi Tetova.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: